Sekretet dhe simbolet e ndërtesës gotike të Parlamentit hungarez

8 Maj, 2021 - 6:57 pm

Duke tërhequr gati 700 000 vizitorë çdo vit, Parlamenti është një nga destinacionet turistike më intriguese në Evropë, me më shumë se njëqind vjet histori pas saj. Vendi ku punojnë 800 njerëz, ka në përmbajtje përveç zyrave, edhe dhoma, një zyrë poste, një bibliotekë, një berber dhe një mjek.

Ndërtimi i Parlamentit – ose Országház – filloi në vitin 1885 dhe u inaugurua në 1904, është krijimi i arkitektit Imre Steindl, i cili si për ironi të fatit u verbua para përfundimit të ndërtesës, duke e lënë atë të paaftë të vlerësonte kryeveprën e tij të përfunduar. E projektuar me një mori simbolesh që fshihen në çdo detaj, ndërtesa ka të inkorporuar në strukturën e saj një kupolë kryesore, 96 metra e lartë, që simbolizon një vit historik për Hungarinë – 896. Ekzistojnë gjithashtu 96 shkallë dhe 365 kulla në të gjithë ndërtesën, një për çdo ditë të vitit.

Në Sallën Qendrore ekspozohet kurora e Shën Stefanit që nga viti 2000, kurorë me të cilën janë kurorëzuar më shumë se 50 mbretër që nga shekulli i 12-të. Kurora prej ari, e dekoruar nga perlat dhe gurë të tjerë të çmuar ruhet nga rojet, si një ndër dy kurorat bizantine.

Si një nga ndërtesat më të larta në Budapest, Parlamenti ka një sipërfaqe prej 18 000 metrash katrorë, 691 dhoma, 28 hyrje, 10 oborre dhe 29 shkallë. Një prej shkallëve kryesore ka tetë kolona graniti katër tonësh, nga të cilat vetëm 12 mund të gjenden në botë sot,shkruan a2news. Gjithashtu, në këto shkallë, por edhe tavane të sallave, janë përdorur për dekor më shumë se 40 kilogramë ari 22 deri në 23 karat, duke përfshirë gjethe të rralla ari.

Deri në vitin 2013, ndërtesa e Parlamentit të Hungarisë ishte e mbushur me vrima plumbash nga dy Luftërat Botërore dhe revolucioni i vitit 1956, një pjesë e të cilave ende ruhen./a2/ KultPlus.com

Të ngjajshme