Selfixhe Ciu – Broja, gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri

9 Korrik, 2024 - 1:44 pm

Selfixhe Ciu – Broja u lind vitin 1918. Ka qenë shkrimtare shqiptare dhe gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri. Më 28 nëntor të vitit 1935 botoi një poesi tek e përkohshmja “Populli”, me emrin e pendës “Kolombia”.

Selfixhja u lind në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në gjirin e një familjeje të kamur qytetare, e bija e tregtarit grosist, Ibrahim Ciu. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Bundo”. Njohu dhe u miqësua me Musine Kokolarin, gruaja e parë shqiptare e cila botoi një roman. U njoh me gazetarët e kohës, Nonda Bulkën, Petro Markon dhe Kolë Berishën.

Ajo ka studiuar në Firencë dhe më pas vijoi studimet në Grenoble, në Francë, ku njohu  bashkëshortin e saj, Xhemal Brojën dhe bashkë me të hapën një dyqan me libra në Shkodër.

Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”,  28 nëntor 1935.

Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar.

Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ , deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.

Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.

Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot.

Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.

Selfixhe Ciu – Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”.

Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare, në vitin 2003, në Tiranë./KultPlus.com

Të ngjajshme