17 Shtator, 2020 - 12:17 am
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, në emisionin DPT te Fidani në T7, i është përgjigjur atyre që i thanë me ironi se ishte valltar. Selmanaj ka thënë se kjo është e vërtetë dhe bën pjesë në krenarinë e tij.
“Është shumë e vërtetë dhe e them me krenari që rrita ime s’ka qenë e lehtë sepse e kam pasur babën mësues. Kemi qenë shtatë fëmijë, unë kam qenë fëmija i shtatë. Kam punuar shumë herët për t’u pavarësuar vet, për të jetuar vet, aktivitete kam pasur, kam qenë valltar i Ansamblit Shota. Kjo është pjesë e krenarisë dhe rritës sime se si jam zhvilluar”, është shprehur Selmanaj.
“Zhvillimi dhe emancipimi ynë ka ngecur. Unë jam krenar në çdo çështje që lidhet me vlerat kombëtare dhe tradicionale. Nëse unë kam pasur fatin të jem pjesë e kultivimit të atyre vlerave, më bën krenar”.
Gjithashtu, Selamanaj tha se përveç se ka qenë pjesë e Ansamblit Shota, ai ka punuar edhe si kamerier për t’u financuar vet gjatë studimeve të tij.
“Unë më parë kam punuar edhe kamerier 4-5 muaj. Kam jetuar dhe jam financuar vet gjatë gjithë studimeve të mia. Nëse dikush ndihet keq për këtë unë iu them, kushdo që të kaluarën e vet e ka pasur duke u angazhuar vet që të jetë i pavarur vet, kjo do të duhej të shihej si vlerë e jo si dobësi”, shtoi Selmanaj./ KultPlus.com