16 Gusht, 2024 - 2:26 pm
Kanë kaluar 47 vite që nga vdekja e Elvis Presleyt (1935-1977), mirëpo akoma ka dyshime lidhur me vdekjen e tij, ndërsa fansat besnikë akoma po e vajtojnë humbjen e Mbretit.
Muzikanti legjendar ishte 42-vjeç kur u gjet i vdekur në banjën e tij në Graceland, pasi kishte kaluar disa vite duke përdorur doza të mëdha të barnave, me ç’rast dy herë ishte mbidozuar me barbiturate (qetësues), teksa herën e parë kishte qëndruar për tri ditë në koma në dhomën e hotelit të tij.
Në kohën e vdekjes, këngëtari po vuante nga mbipesha, glaukoma (sëmundje e syrit), shtypja e lartë e gjakut, dëmtimi i mëlçisë dhe zmadhimi i kolonit (zorrës së trashë). Vdekja e tij ishte shokuese dhe fillimisht si shkak i vdekjes u cek arresti kardiak, kurse mjeku ligjor kishte deklaruar se barnat nuk kanë luajtur rol në vdekjen e tij.
Ekzaminimet tjera mjekësore pas vdekjes së Elvisit zbuluan shumë fakte për shëndetin e rokerit. Zorra e tij ishte thuajse dy herë më e gjatë sesa duhej të ishte dhe se ai kishte vuajtur nga konstipacioni (kapsllëku) për katër muaj. Zemra e tij ishte dy herë më e madhe sesa madhësia normale dhe ai ishte në fazat e fundit të sëmundjes kardiovaskulare, derisa mushkëritë e tij ishin përfshirë nga emfizema (sëmundje kronike obstruktive e mushkërive), gjë që tregonte paaftësinë e tij për të kënduar në vitet e fundit të jetës.
Vdekja e Mbretit shkaktoi dëshpërim te fansat e shumtë në gjithë botën, aq sa shumë prej tyre refuzonin të pranonin se ai ka vdekur nga sulmi në zemër, madje me vite të tëra kanë besuar se është akoma gjallë. /KultPlus.com