9 Shtator, 2021 - 4:38 pm
S’kanë të ndalur protestat në Afganistan. Qytetarët dolën në rrugë në zona të ndryshme të vendit në kërkim të më shumë lirive dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, duke sfiduar kështu urdhrin e talibanëve për të qëndruar në shtëpi dhe në heshtje.
Shumë protestues u grumbulluan pranë ambasadës së Pakistanit në Kabul dhe militantët qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe shpërndarë ata. Skena të ngjashme u raportuan në provincën Parwan dhe atë Nimruz. Ka pasur edhe raportime për dhunë të tepruar, kryesisht ndaj dy gazetarëve që po mbulonin protestën e grave pranë një stacioni policie.
Talibanët kanë ndaluar manifestimet që nuk janë të autorizuara nga Ministria e Drejtësisë. Në protestat e fundit, afganët thërrisnin dhe kishin slogane të tilla si “ne kërkojmë liri”, “armët nuk na e mbyllin gojën” dhe “vdekje Pakistanit dhe Amerikës”.
Në zona të ndryshme pati edhe manifestime nga vetëm gratë që kundërshtojnë qeverinë e re të talibanëve të përbërë nga vetëm burrat. Gjithashtu kërkojnë një rol në ekzekutivin e ri, vende pune, edukim dhe liri për të dalë jashtë shtëpisë pa nevojën e shoqërimit nga një burrë.
Ndërkohë, në Herat, një video e siguruar nga CNN shfaq talibanët teksa bëjnë një paradë me automjete ushtarake. Ato besohet se janë përdorur më përpara nga forcat afgane dhe dhuruar nga ushtritë ndërkombëtare. / KultPlus.com