22 Qershor, 2020 - 8:25 pm
Përmes një postimi në facebook, Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ka reaguar ndaj ”sulmeve” në lidhje me prejardhjen dhe dialektin, siç thotë ministrja, e cila këtë reagim të gjatë nuk e ka pasur as kur maturantët dolën në protestë dhe e gjithë bota qeshi me ”turin”.
”Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë – bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-ën, është skandaloze”.
Ajo thekson se ky reagim ka ardhur edhe pas protestave të fundit të maturantëve, sipas saj të organizuara nga opozita. “Ky sentiment anti-shqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombësve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë”. /KultPlus.com