29 Shtator, 2020 - 3:00 pm
Ka shtatë muaj që Kosova përballet me pandeminë Covid 19, dhe shumë pak reagime janë vërejtur nga institucionet kosovare për ndikimin e kësaj periudhe në shëndetin mental të fëmijëve, por edhe të angazhimit të tyre në lojëra kreative apo angazhime të tjera që të jenë aktiv, pos ballafaqimit të fëmijëve me sistemin online, që është praktikuar prej marsit e këndej, e deri te rikthimi i tyre në bankat shkollore, shkruan KultPlus.
Psikologia Mimoza Shahini, ndikimin e pandemisë në fushën emocionale të fëmiut, duke iu referuar edhe kohës kur edhe është shfaqë fillimisht pandemia në Kosovë, e ndanë në disa faktorë, si: lidhshmëria që fëmiu ka pasur me shkollën, lidhshmëria e fëmiut me edukatorët dhe arsimtarët, gjendjen ekonomike të prindërve dhe familjes ku jetojnë fëmijët, niveli i edukimit të prindit mbi reagimet në Covid 19, mënyra se si shkolla ruajti lidhjet me fëmijët përmes mësimit online, mënyra se si fëmijët vendosin rutinat e reja në përputhje me nevojat edhe të anëtarëve të tjerë të familjes si dhe mënyrat që gjetën fëmijët për të qëndruar në lidhje me bashkëmoshatarët edhe në kushte izolimi.
“Mendimi im është që ata që ja dolën me sukses në këto pika, janë fëmijët të cilët i kanë vuajtur më së paku emocionalisht pasojat e pandemisë, ndërsa fëmijët të cilët u ballafaquan me shumë strese për shkak të strategjive jo të shëndetshme të përballimit, janë ata që vuajnë më shumë”, ka thënë Shahini, duke specifikuar më pas edhe dhunën në familje, që sipas saj, rritja e dhunës në familje gjatë pandemisë ka qenë e lidhur me faktorët e lartpërmendur, si dhe me kthimin e një roli të ri të babait në kushte shtëpie.
Kurse sa i përket pjesës kreative të fëmijëve, nëse iu ka munguar sistemi shkollor me atë shtëpiak, Shahini thotë se nuk e mendon se kreativiteti është i pranishëm në shkolla, dhe në këtë pikë, nuk e sheh se kanë pas një ndikim te fëmijët në aspektin emocional.
“Unë nuk mendoj që edukatorët dhe mësimdhënësit, pa dashur të përgjithësoj janë kreativ në shkollë apo institucione parashkollore, dhe këtë e vërteton edhe vlerësimet e PISA, prandaj nuk shoh ndonjë lidhje të mungesës së kreativitetit me problemet emocionale, më shumë i shoh të lidhura me probleme në procesin e nxënies”, ka thënë Shahini.
Kurse për mospërgjegjësinë institucionale, të cilët nuk kanë punuar për ti dalë në ndihmë familjeve për menaxhimin e situatës së pandemisë, në këtë rast, gjendjes emocionale të fëmijëve, Shahini ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për shëndetin mental të fëmijëve.
“Dhe e keqja nuk qëndron në mungesën e një strategjie apo plani veprimi për të mbështetur nevojat psikologjike të fëmijëve, por edhe shpërndarja e informacionit ka qenë shumë dramatike në raport me mënyrën se si përhapej virusi dhe si po menaxhohej. Gjithashtu familja ka qenë e përgatitur për rrethana të tilla, megjithatë informacionet nga prindërit kanë qenë pozitive, edhe pse shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të menaxhimit të fëmijëve, sidomos kur kanë pasur më shumë se një fëmijë në mësimin online”, ka thënë Shahini, e cila nuk mendon që kultura familjare në raport me mësimin është shumë e fortë për ta influencuar nxënien e fëmiut, por, sipas saj, mësimdhënësit janë përpjekur me aq sa kanë ditur të mbështesin familjet.
Duke iu referuar izolimit më të hershëm dhe ndarjes së fëmijëve nga shoqet dhe shokët e tyre të klasës, Shahini e sheh si një ndër sfidat kryesore që kanë hasur fëmijët gjatë zhvillimit të tyre.
“Dhe pikërisht kjo ndarje ka ndikuar që të zëvendësohet me qëndrimin për orë të tëra në lojëra elektronike, duke rritur edhe më shumë distancimin social. Gjithashtu kemi raportime të rritjes se obesitetit, si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë në kompjuter apo mjete të tjera teknologjike”, ka thënë Shahini.
Dhe në mungesë të këshillimit institucional, Shahini tregon përvojën e saj përgjatë periudhës së izolimit se ka pas shumë raste kur familjet kanë kërkuar ndihmën e saj për të menaxhuar situatën.
“Problemi më i madh ka qenë vendosja e rutinave të reja, duke respektuar nevojat e secilit anëtar të familjes. Prindërit kanë qenë të painformuar se si t’i informonin fëmijët e tyre në raport me virusin si dhe të menaxhonin mësimin online. Ka pasur raste të problemeve të shëndetit mendor për shkak të situatës”, ka vazhduar Shahini, e cila potencon edhe detajin tjetër, se përgjatë kësaj periudhe, nuk iu është kushtuar ndonjë vëmendje e veçantë aspektit emocional, përveç një linje telefonike e cila është ofruar nga vullnetarë të cilët nuk kanë qenë profesionistë për të bërë mbështetjen e duhur. “Nuk ka pasur një organizim të nevojshëm për t’i mbështetur fëmijët dhe për këtë më vjen shumë keq. Në kuadër të MSH kemi përgatitur një plan veprimi por, që nuk është jetësuar akoma”, ka thënë Shahini.
Dhe tashti, kthimi i nxënësve në shkolla, sipas saj është mirëpritur mjaftë mirë si nga fëmijët por edhe nga prindërit, por me dyshimet se si mund të menaxhohet kjo situatë e cila është në mes të mësimit fizik dhe atij online.
“Gjithsesi mendoj që ka ndikim pozitiv, fakti që fëmijët do të kenë mundësi të takohen me bashkëmoshatarët dhe të gjithë akterët e tjerë të edukimit duke u kujdesur për shëndetin por edhe për mirëqenien e tyre emocionale”, ka thënë për fund Shahini./ KultPlus.com