Shahini: Provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësitë, stërpolitizimi i shpërqendroi ata

14 Qershor, 2020 - 8:25 pm

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini me anë të një video-mesazhi, i është drejtuar maturantëve dhe prindërve të tyre, duke i siguruar ata se kanë në dispozicion të gjithë ministrinë dhe se çdo shqetësim do ta zgjidhin së bashku.

Lidhur me debatin e ditëve të fundit për provimet e maturës, të cilin ajo e cilëson “një stër-politizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”, Shahini thekson se ky debat shpërqendroi nxënësit nga puna që duhet ta bëjnë për t’u përgatitur për provimet e radhës dhe keqinformoi në debatin kombëtar për arsimin.

Gjithsesi, ajo nënvizon qartë se Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe Komiteti i Maturës Shtetërore (KOMSH) kanë adresuar të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga nxënës dhe mësues për mënyrën se si është zhvilluar Matura Shtetërore këtë javë dhe për dy provimet që do të zhvillohen javën tjetër.

Ministrja Shahini shprehet gjithashtu se “provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësit”, duke theksuar se ata janë të dizajnuar të masin jo vetëm njohuritë e nxënësve që kanë ndërtuar për 12 vite në Arsimin Parauniversitar, por dhe aftësitë që ata kanë për të aplikuar këto njohuri në jetë apo në punë”.

“Këtë e bën pikërisht testi PISA, që është standardi i vlerësimeve për nxënësit dhe mat aftësitë e nxënësve për të aplikuar njohuritë e tyre”, tha Shahini duke nënvizuar se ky lloj testi e informon edhe QSHA-në që të orientojë provimet kombëtare drejt një matjeje të tillë.

“Një debat tjetër që unë besoj duhet të ndodhë, është i domosdoshëm, jo nga politikanët por ekspertët e fushës, është debati për mënyrën se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkollat tona. Ky është një debat që duhet të ndodhë nga njerëz që e njohin gjuhën shqipe, kanë studiuar letërsinë, por e njohin edhe shkollën, e njohin edhe universitetin. Pra, janë njerëz të fushës që dinë ta adresojnë këtë çështje në një mënyrë produktive, që mund ta përkthejmë pastaj në politika arsimore”, tha ndër të tjera Shahini.

Në video-mesazh, ministrja Shahini komentoi edhe protestat e ditëve të fundit:

“Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re. Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha ajo. /KultPlus.com

Të ngjajshme