SHBA dhe BE bojkotojnë ceremoninë për 79-vjetorin e bombës atomike për shkak të mungesës së Izraelit

7 Gusht, 2024 - 9:00 pm

 Ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, refuzuan të marrin pjesë në një ceremoni për 79-vjetorin e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki për shkak të mungesës së një ftese për Izraelin, njoftuan sot ambasadat dhe zyrtarët.

Ambasada amerikane njoftoi se vendi do të përfaqësohej nga diplomatë më të ulët se rangu i ambasadorit, në ceremoninë e planifikuar për të premten.

Në një letër dërguar kryebashkiakut të këtij qyteti në Japoninë jugore në korrik, Australia, Italia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Gjermania, SHBA dhe BM kishin paralajmëruar se do të ishte “e vështirë të kishte pjesëmarrje në nivel të lartë në këtë event nëse përjashtohej Izraeli”.

Këshilltari i qytetit të Nagasakit, Shiro Suzuki tha javën e kaluar se vendimi për të mos ftuar ambasadorin e Izraelit në Japoni, Gilad Cohen, nuk ishte i motivuar nga konsiderata politike, por nga një dëshirë për “të mbajtur ceremoninë në një atmosferë paqësore”, për shkak të rrezikut të protestave të lidhura me luftën në Gaza.

Në qershor ai i dërgoi një letër ambasadës izraelite me një thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në territoret palestineze.

‘’Ambasadori amerikan, Rahm Emanuel nuk do të jetë i pranishëm pasi kryebashkiaku i Nagasakit e politizoi ngjarjen duke mos ftuar ambasadorin izraelit”, tha një zëdhënës i ambasadës.

‘’Emanuel, ish-shefi i kabinetit të ish-presidentit Barack Obama, do të marrë pjesë në një ngjarje tjetër në një tempull në Tokio’’, tha ai.

Përfaqësimi britanik pretendoi se ambasadorja, Julia Longbottom do të mungonte gjithashtu në Nagasaki sepse dështimi për të ftuar Izraelin “krijon një ekuivalencë fatkeqe dhe mashtruese me Rusinë dhe Bjellorusinë, dy vendet e tjera të vetme që gjithashtu nuk janë ftuar në ceremoninë e këtij viti’’.

‘’Ambasadori i Bashkimit Evropian nuk do të marrë pjesë për arsye të rendit të ditës dhe BE-ja do të përfaqësohet nga një diplomat i rangut më të ulët’’, tha një zëdhënës./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme