28 Dhjetor, 2022 - 4:29 pm
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, shkruan KultPlus.
Përmes një deklarate të përbashkët, BE dhe SHBA kanë njoftuar se janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensioneve në veri të Kosovës.
Deklarata e plotë:
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e vazhdimisht të tensionuar në veri të Kosovës.
Iu bëjmë thirrje palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet apo kërcënimet.
Ne po punojmë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për zbutjen e tensionetve dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.
Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta apo barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, shteti i së drejtës duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Bashkimin Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e tij, i cili mund të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë për gjykim të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve të pakicës në Kosovë.
Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.
Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, thuhet në deklaratën e tyre. /KultPlus.com