SHBA: Kina i ofron Rusisë teknologji dhe pajisje thelbësore

29 Korrik, 2023 - 11:31 pm

Një raport i sapo lëshuar nga zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së pretendon se Kina po ofron teknologji dhe pajisje për Rusinë, që po bëhet gjithnjë e më vendimtare për luftën e Moskës në Ukrainë.

Raporti, i titulluar “Mbështetja e ofruar nga Republika Popullore e Kinës për Rusinë”, gjithashtu tregoi se Pekini po ndjek një sërë mekanizmash të mbështetjes ekonomike për Rusinë që zbusin ndikimin e sanksioneve perëndimore dhe kontrolleve të eksportit.

Ai po ashtu tha se Kina ka arritur importet e naftës dhe gazit rus të ridrejtuar nga Evropa.

“Pekini gjithashtu ka rritur ndjeshëm përdorimin e monedhës së tij, juanit, si dhe infrastrukturës së tij financiare në ndërveprimet tregtare me Rusinë, duke i lejuar entitetet ruse të kryejnë transaksione financiare pa pengesa perëndimore”, thuhet në raport.

Inteligjenca amerikane vlerësoi se Kina është bërë një “mbështetëse gjithnjë e më e rëndësishme për Rusinë në përpjekjet e saj të luftës”.

“Pekini po i ofron Rusisë gjithashtu teknologji me përdorim të dyfishtë që ushtria e Moskës e përdor për të vazhduar luftën në Ukrainë”, tha raporti.

Në një rast, raporti tregoi se që nga muaji mars Kina “kishte dërguar më shumë se 12 milionë dollarë në drone dhe pjesë të dronëve” në Rusi.

SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërkombëtarë kanë kërkuar të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës, duke përfshirë përpjekjet për të kufizuar qasjen e saj në ato që njihen si “teknologji me përdorim të dyfishtë” ose pajisje që mund të përdoren për civilët dhe për qëllime ushtarake.

Në fillim të kësaj jave, një raport pretendonte se kompanitë me bazë në Kinë po furnizojnë Rusinë me pajisje të nevojshme që forcat e Kremlinit mund t’i përdorin në fushën e betejës në Ukrainë.

Siç raporton ”Politico”, kjo përfshin urdhra nga blerësit rusë për qindra mijëra jelekë dhe helmeta antiplumb, drone komerciale që u mundësojnë forcave tokësore të identifikojnë dhe të lidhen me objektivat, si dhe pamje optike termike që u mundësojnë luftëtarëve të qëllojnë më saktë gjatë natës./ atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme