2 Mars, 2023 - 10:25 am
Uashingtoni e ka përshkruar sërish aplikacionin kinez të mediave sociale TikTok si një kërcënim të mundshëm për sigurinë kombëtare.
Shtëpia e Bardhë ndaloi të hënën aplikacionin e mediave sociale, në pronësi të kompanisë private me bazë në Kinë ByteDance, në telefonat qeveritarë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha në një konferencë për media se aplikacioni “paraqet një problem”.
“Ne kemi shqetësime për këtë pasi lidhet me të dhënat e amerikanëve – mbledhjen e të dhënave të amerikanëve dhe rrezikun e mundshëm të sigurisë kombëtare”, tha ajo.
Një projektligj u prezantua të premten në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA që do t’i lejonte presidentit Joe Biden të ndalonte TikTok në të gjithë vendin.
Komiteti i Punëve të Jashtme votoi në favor të projektligjit.
“TikTok është një kalë Troje i ditëve moderne i Partisë Komuniste Kineze që përdoret për të vëzhguar dhe shfrytëzuar informacionin personal të amerikanëve”, tha ky komitet.
Projektligji duhet ende të kalojë në Senatin e SHBA, si dhe në pjesën tjetër të Dhomës, përpara se Biden ta nënshkruajë atë.
TikTok tha në një postim në Twitter se një ligj i tillë do të kishte një ndikim të rëndësishëm negativ në të drejtat e fjalës së lirë të miliona amerikanëve që përdorin dhe e duan aplikacionin.
Administrata e Biden kishte njoftuar më parë se agjencitë qeveritare kanë 30 ditë për të siguruar që aplikacioni video të mos përdoret më në telefonat e shërbimit dhe pajisjet e tjera.
Pekini ka kritikuar ndalimin e SHBA, duke akuzuar Uashingtonin për represion ndaj kompanive të huaja./ atsh / KultPlus.com