14 Shkurt, 2020 - 7:58 pm
Siç e dimë të gjithë Dita e Shën Valentinit, festohet në datën 14 shkurt në mbarë botën. Romantizmi nëpër filma, dhe marketingu nga kompanitë më të mëdha botërore, e kanë shndërruar këtë festë në një pjesë integrale të jetës sonë.
Madje kremtimet nisin 1 javë para. Sot, Dita e Shën Valentinit është industri miliarda dollarëshe. Vetëm në këtë ditë, blihen mbi 1 miliardë kartolina. Me të lidhen shumë histori legjendare. Dominues është varianti sipas të cilit, kjo ditë nisi të kremtohet që në kohën e Romës së lashtë, kur Perandori Klaud mendoi se burrat beqarë do të ishin ushtarë më të mirë.
Kjo për shkak se ata s’do të kishin asnjë lloj shpërqendrimi nga gratë dhe fëmijët e tyre. Prandaj, ai i ndaloi burrat të martoheshin, por Shën Valentini vazhdoi t’i martonte në fshehtësi. Kur Klaudi e zbuloi këtë, urdhëroi ekzekutimin e mënjershëm të tij. Kështu, Shën Valentini u martirizua.
Varianti më klasik, është ai që flet për dashurinë e ndaluar midis një vajze dhe një prifti, që pati një fund tragjik. Sot Dita e Shën Valentinit sot festohet me shumë gusto. Çiftet harxhojnë shuma të mëdha parash, dhurojnë lule dhe dhurata të tjera, apo edhe shkosjnë për disa ditë me pushime jashtë shtetit, për të treguar se sa shumë e duan njëri-tjetrin. Por jo të gjithë e festojnë njëlloj Shën Valentinin. Ja cilat janë 10 traditat më të çuditshme të Ditës së Shën Valentinit nëpër botë.
Koreja e Jugut
Këtu njerëzit e festojnë Shën Valentinin jo vetëm më 14 shkurt, por edhe më 14 mars, dhe më 14 prill. Dallimi është se më 14 shkurt, janë gratë ato që u bëjnë dhurata partnerëve të tyre. Por më 14 mars, janë burrat ata që suprizojnë gratë me dhuratat e tyre. Ndërkohë më 14 prill, gratë dhe burrat që janë ende vetëm, vajtojnë statusin e tyre duke ngrënë një tas me “jajangmyeon“, një lloj fasuleje e zezë.
Kina
Në Kinë, ekziston një histori legjendare e Zhinu-së, vajzës së Mbretit të Qiellit, dhe Niulang, një blegtori të varfër. Të dy ranë në dashuri, u martuan dhe patën 2 fëmijë binjakë. Kur mbreti e mësoi këtë lidhje, e dërgoi Mbretëreshën në Tokë për ta marrë Zhinu-në. Por Niulang dhe fëmijët, nisën të qajnë me të madhe kur e dëgjuan këtë gjë.
Ndaj mbreti i lejoi të takoheshin një herë në vit në Qixi. Qixi është ekuivalenti i Ditës së Shën Valentinit në Kinë. Ai kremtohet çdo vit në ditën e 7-të në muajin e 7-të hënor. Gjatë Qixi, gratë beqare i ofrojnë Zhini-së pjepër dhe fruta të tjera, duke shpresuar të gjejnë një burrë të mirë. Ndërkohë çiftet shkojnë në tempull, për t’u lutur për lumturi dhe prosperitet.
Filipinet
Filipinet kanë të njëjtat tradita si perëndimorët në Ditën e Shën Valentinit. Çiftet shkëmbejnë dhurata dhe kartolina. Por kohët e fundit, filipinasit kanë nisur të martohen më 14 shkurt. Dasma masive zhvillohen Ditën e Shën Valentinit. Ndërkohë, çiftet e martuara zgjedhin të ripërsërisin premtimet e tyre në këtë ditë.
Tajvan
Këtu njerëzit e festojnë dy herë në vit festën e dashurisë:më 14 shkurt si gjithë të tjerët, dhe më 7 korrik. Dhurimi i luleve për partnerin, është shumë i rëndësishëm. Trëndafilat e kuq, preferohen më shumë se sa lulet e tjera. Dhe numri i tyre është mjaft domethënës. Për shembull, një trëndafil i kuq do të thotë “një dashuri e vetme”. 99 trëndafila do të thotë “përgjithmonë bashkë”, ndërsa 101 trëndafila do të thotë “martohu me mua”.
Danimarkë
Danezët kanë filluar ta festojnë Ditën e Shën Valentinit vetëm që nga vitet 1990. Por në vend të trëndafilave të freskët, ata i dhurojnë partnerit një lule të bardhë të quajtur dëborë. Gjithashtu, burrat u japin grave “gaekkebrev”, një letër që përmban poezi gazmore.
Francë
Franca konsiderohet si një nga vendet më romantike në botë. Ditën e Shën Valentinit, burrat dhe gratë shkojnë në shtëpi që ndodhen përballë njëra-tjetrës. Pastaj i thërrasin njëri-tjetrit, dhe në fund takohen. Nëse burri nuk është i kënaqur me gruan që ka përballë, ai mund ta lërë atë për një tjetër. Të gjitha gratë e palidhura mblidhen pastaj bashkë dhe ndezin një zjarr të madh. Në të, ato hedhin fotot e burrave që i kanë braktisur, duke i mallkuar dhe fyer ata. Kjo traditë u bë aq popullore dhe e pakontrollueshme, saqë qeveria franceze u detyrua ta ndalonte me ligj atë.
Itali
Në Italinë e lashtë, Dita e Shën Valentinit festohej si Festa e Pranverës. Të rinjtë mblidheshin në natyrë, duke shijuar poezinë dhe muzikën, dhe më pas shëtisnin me të dashurit e tyre. Në një traditë tjetër, vajzat beqare ngriheshin herët që pa gdhirë, dhe përpiqeshin të dallonin burrin e tyre të ardhshëm. Burri i parë që ato shihnin, duhet të ishte ai me të cilin do të martoheshin brenda një viti. Nëse kjo nuk ishte e mundur, të paktën burri i ardhshëm duhet të kishte një ngjashmëri me atë person.
Uells
Uellsianët festojnë ditën e Shën Duejnit, shenjtit mbrojtës të të dashuruarve, më 25 janar të çdo viti. Burrat gdhendnin modele dhe simbole të ndryshme në lugë druri. Këto lugë, u jepeshin grave që ata donin. Modelet dhe simbolet e gdhendura në këto lugë, e kanë një domethënie.
Për shembujt simboli i patkoit është për fatin e mirë; rrota simbolizon mbështetjen ndaj partnerit; dhe çelësat simbolizojnë zemrën e një njeriu. Sot këto lugë prej druri me gdhendje të ndryshme jepen si dhuratë në raste dasmash, përvjetorësh, dhe lindjen e fëmijëve.
Afrika e Jugut
Ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve, edhe këtu njerëzit shkëmbejnë kartolina dhe dhurata në këtë ditë. Por në disa pjesë të vendit, gratë e shkruajnë emrin e parnerit të tyre në një letër në formë zemre, dhe e vendosnin atë në cepin e mëngës. Në këtë mënyrë, burrat mësojnë se kush është e dashura apo admiruesja e tyre e fshehtë.
Brazil
Brazilianët e kremtojnë variantin e tyre të Ditës së Shën Valentinit më 12 qershor të njohur si “Dia dos Namorados”, apo Dita e të Dashuruarve. Zakonisht njerëzit shkëmbejnë letra dhe dhurata në këtë ditë. Përveç kësaj, ata darkojnë me miqtë dhe të afërmit e tyre. Në disa pjesë të vendit, gratë kryejnë ritualin “e simpative”, duke shpresuar që Shën Antoni, një shenjt mbrojtës i martesës, t’u gjejë atyre një burrë. /bota.al/ KultPlus.com