9 Shkurt, 2021 - 3:55 pm
Shëndeti mendor dhe emocional vazhdon të jetë diçka me të cilin shumë njerëz vazhdojnë të përballen gjatë pandemisë, dhe ky problem ka filluar të bëhet serioz dhe i pashmangshëm, edhe për fëmijët. Por ekspertët e kësaj fushe thonë se ekzistojnë gjëra të cilat prindërit mund t’i bëjnë për të ndihmuar.
Për pothuajse një vit, pandemia e koronavirusit i ka pushtuar tërësisht rutinat tona të përditshme, dhe ndërsa disa njerëz e kanë pasur të vështirë të përshtaten me realitetin e ri, adaptimi me këto ndryshime mund të jetë i vështirë për fëmijët.
Ekzistojnë dy gjëra që janë shumë të rëndësishme për fëmijët, ato janë struktura dhe socializimi, dhe përgjatë këtij viti ata i kanë humbur te dyja këto gjëra. Pavarësisht se është normale që fëmijët herë pas here të kenë probleme me disa gjëra, është më se e rëndësishme që prindërit të sigurohen për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Gjërat për të cilat duhet të jeni të vëmendshëm, janë ndryshimet në sjelljet apo personalitetet e fëmijëve.
Por t’i bësh fëmijët të shprehen dhe të flasin për ndjenjat e tyre, nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj ekspertët ju këshillojnë të jeni të qëllimshëm në mënyrën si ua parashtroni pyetjet. Gjithashtu duhet të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave joverbale, shikoni a janë të buzëqeshur kur flasin me ju, apo janë kryesisht në disponim të keq. Ata mund të thonë se gjithçka është në rregull, por sipas ekspertëve ju duhet të insistoni të flasin hapur me ju, si dhe të mos i gjykoni në ato që thonë.
Sipas mjekëve, është gjithashtu e rëndësishme që në rast se vëreni që fëmija juaj vuan nga depresioni apo ankthi, të kërkoni ndihmë profesionale për trajtimin e tyre tek këshilltarët shkollor ose profesionistët e shëndetit mendor.
Ndërsa në shtëpi, sugjeroheni që t’i inkurajoni fëmijët të flasin për gjëra pozitive nga jeta e tyre e përditshme, apo gjërat që mezi presin t’i bëjnë në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com