20 Mars, 2025 - 11:58 am
Në romanin e tij më të fundit “Shtatë dritaret”, shkrimtari Virion Graçi paraqet narracion autobiografik, duke rrëfyer ngjarje nga familja dhe jeta e tij.
Shkruan: Malsore Olluri
Titulli “Shtatë dritaret” në roman ndryshe përmendet edhe si “Shtatë penxheret”, burgu famëkeq në kalanë e qytetit që si emërtim përfaqësonte një eufemizëm.
Simboli i “Shtatë dritareve” shkon përtej kuptimit real të burgut. Simbolizon shtypjen, ndëshkimin,diskriminimin që regjimi komunist u impononte familjeve të konsideruara “armiq të popullit”.
Sipas këndvështrimit tim ka një simbolikë mjaft të fuqishme, edhe pse dritaret e burgut simbolizojnë burgosjen ato mund të interpretohen edhe si një metaforë e spikatur për pamjen e kufizuar dhe izolimin social nga bota e jashtme, një dritëz e zbehtë shprese e një tuneli të pafund.
Ashtu si shumë individë të asaj kohe, edhe protagonisti përjeton në mënyrë direkte pasojat e sistemit komunist. Pra, kemi të bëjmë me ngjarje të interpretuara në mënyrë mjaft impresionuese, por me një realitet emocional të thellë dhe të dhimbshëm.
Me një stil të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, por të ngarkuar me tension dhe ndjenja, shkrimtari zhyt lexuesin në realitetin e ashpër të Shqipërisë gjatë komunizmit, një panoramë më të gjerë të shoqërisë shqiptare nën peshën e një ideologjie shtypëse të periudhës së komunizmit.
Një jetë e tërë e ndërtuar mbi padrejtësi, e rënduar nga barra e një faji të trashëguar, e shtypur nën hijen e një sistemi totalitarist që vuloste fatin pa pikë mëshire.
Romani “Shtatë dritaret” strukturohet në tri pjesë të ndërlidhura ku shohim se secila prej tyre e çon lexuesin një hap më afër zbulimit dhe zhvillimit të ngjarjeve.
Pjesën e parë e titullon “Lavjerrësi i fëmijërisë”, të dytën “Viti i Ri 2002.Gëzuar!” dhe të fundit “Mos kalo! Skenë krimi”.
Pra, romani trajton në mënyrë të thellë periudhën e fëmijërisë, ikjen e hershme e të atit nga kjo jetë dhe të tashmen.
Autori ngjarjet nuk i ka paraqitur në mënyrë kronologjike. Përdor një gjuhë standarde mjaft të qartë dhe të drejtpërdrejtë, shtjellon artistikisht kujtime nga jeta e tij që dëshiroi t’i shpëtonte nga harresa e pamëshirshme e kohës që po kalonte pa ndalë.
Mendoj se anon më shumë nga lloji i romanit psikologjik kjo ngaqë fokusi shpesh është në analizën e ndjenjave të personazheve.
Vepra fillon me kapitullin e ashtuquajtur, “Lavjerrësi i fëmijërisë”, me nëntitull mjaft karakteristik, pjesë dedikuar fëmijërisë. Titull ky me domethënie të fuqishme, që simbolizon lëkundjen mes gëzimit dhe vuajtjes, shpresës dhe trishtimit që një fëmijë e adoleshent përjeton në një periudhë goxha të vështirë si ajo e komunizmit.
Periudhë kjo, e tensionuar dhe trazuar historikisht, ku liria e shprehjes së mendimit ishte e limituar ku edhe veprimi më i vogël rezultonte fatkeqësisht me pasoja të rënda .
Jo vetëm protagonistët, por kolektivisht shumë shqiptarë mund të gjejnë pasqyrimin e përjetimeve të tyre gjatë këtij regjimi, duke u identifikuar me ngjarjet dhe ndjenjat e personazheve.
Fëmijëria, si një nga fazat më të bukura të jetës, kohë e ngjyrave të ndezura kur gjithçka është e mundur, kjo sepse zemra ende nuk ka mësuar frikën e së ardhmes dhe ëndrrat ende nuk janë peshuar me realitetin, për të bëhet mjaft sfiduese.
Kjo pjesë ngërthen në vete rrëfime personale të përjetimeve të romansierit mjaft mbresëlënëse dhe realiste, kujtime këto të ndërthurura mbi motivin e vuajtjes, shpresës, dhimbjes, varfërisë, frikës, ëndrrave dhe zhgënjimit.
Protagonisti është djali i një ish mësuesi “të padobishëm” për shoqërinë. Një burrë mendjeprehtë një shpirt trazuar mes librave dhe realitetit të ashpër, i një familjeje të deklasuar. Mësues i cili gjithmonë gëzonte respektin dhe dashurinë e nxënësve. Largimi i tij nga kjo pozitë e shenjtë nuk është thjeshtë një humbje e një pozite profesionale, por një dëmtim i mundësive për zhvillim dhe për avancim në shoqëri.
Fatkeqësisht u bë pre e një “dhune insitutcionale” pavarësisht mençurisë, aftësive të tij apo kontributit në shoqërinë shqiptare
Ngjarjet e rrëfyera duke përfshirë çdo kujtim dhe çdo detaj janë parë nga perspektiva e një katërmbëdhjetë vjeçari. Graçi shpalos bukur detajet për një nga betejat më të mëdha të fëmijërisë, atë të shkollimit pavarësimit nga pasiguria dhe frika që ka kapluar shpirtin e një adoleshenti.
“Frikë nga fshati i tij me 120 shtëpi, ku pjesa dërrmuese e popullsisë përbëhet nga barinjtë, bujqit dhe komunistët”. Shkolla për të do të ishte porta e një jete të re, mundësi për t’u bërë pjesë e shoqërisë.
Situatë e vështirë kur zemra ndizet flakë nga dëshira për një jetë të re por përballë del ndjenja e të mbyturit në një det të pafund frike e faji. Faj, tradhti dhe padrejtësi ndaj sakrificave e mundit të prindërve për të. Këtu shohim se gërshetohet edhe motivi i dashurisë ajo e prindit ndaj fëmijës së vet.
Pjesa tjetër e romanit e titulluar “Viti i Ri 2002.Gëzuar!” përbëhet nga një mozaik kujtimesh që dikur i dukeshin të natyrshme, por tani i rikthehen si shigjeta të mprehta, duke e goditur në brendësi.
Përbën një segment kyç në rrëfimin e protagonistit, ku realiteti i hidhur i së kaluarës përplaset me sfidat e së tashmes.
Një nga aspektet më prekëse të kësaj pjese është përshkrimi i sëmundjes së babait, një figurë që mishëron stoicizmin dhe sakrificën në një realitet të pamëshirshëm.
Familja përjeton gjithashtu trauma të tjera, të cilat thellojnë dramacitetin e jetës së tyre.
Përveç atyre motiveve që përmendëm më lart këtu kemi të bëjmë edhe me motivin e mërgimit.
Vëllai i vogël, vendos të emigrojë dhe të largohet nga Shqipëria për në Angli, duke u përballur me vështirësi të reja dhe ndarje të dhimbshme nga me më të dashurit e tij prindërit vëllai i madh dhe motra e vogël.
Sa i përket pjesës së fundit të titulluar “Mos kalo! Skenë krimi”, kthimi në vendlindje nuk shoqërohet më me ndjenjën e ngrohtësisë familjare. “Shtëpi e ëmbla shtëpi” tashmë është një frazë e zhdukur nga mendja e protagonistit, pasi çdo cep i vendit ka marrë trajtën e një skene krimi.
Përdorimi i toneve të errëta dhe përshkrimeve të thella introspektive i jep romanit një ndjesi melankolie, ndërsa kthimi në vendlindje nuk është më një rikthim në shtëpi, por një ballafaqim me plagët e hapura të së shkuarës.
Reflektohet motivi i dhimbjes, nostalgjisë, kujtimeve e përmallimeve për vitet që kaluan.
Kontrasti mes të kaluarës dhe të tashmes shfaqet me intensitet të thellë në pjesën e fundit të romanit.
Pika më e fuqishme e romanit, reflekton mbi rolin e individit në një shoqëri që ia mohon mundësitë vetëm për shkak të “biografisë” së tij.
“Periudhë e mbingarkuar” me përjetime ashtu siç e quan edhe autori.
Aspekt thelbësor i këtij romani që nuk mund të kalojë pa u vënë re është moszhytja e autorit në helmin e urrejtjes. Ai nuk u bë gjykatës i tyre dhe nuk ngriti gishtin për të dënuar, por i la faktet të shpreheshin vetë. Nuk ka britma zemërimi, por një qetësi e heshtur, e cila bart peshën e kujtimeve të paharrueshme.
“Shtatë dritaret” mund të konsiderohet autobiografi që të çon pas në kohë. Është vepër e veçantë që të bën të reflektosh mbi sakrificat e brezave të mëparshëm dhe vlerën e lirisë që kemi sot.
Një thirrje për vetëdijesim, jo vetëm mbi historinë e shkuar, por edhe mbi vlerat që duhet të ruajmë dhe mbrojmë gjithmonë. Përpjekje për të krijuar një lidhje në mes së kaluarës dhe të ardhmes.
Nëpërmjet një gjuhe të qartë, ai mbart ngjarjet, ndjenjat dhe vëzhgimet e tij dhe u jep lexuesve një perspektivë autentike mbi realitetin e asaj periudhe.
“Shtatë dritaret” nuk është vetëm një rrëfim personal, por një dëshmi e gjallë e një kohe të vështirë, e cila vazhdon të lërë gjurmë në kujtesën kolektive./KultPlus.com