Shenjtorja shqiptare përkujtohet më këngë e poezi në Katedralen që mban emrin e saj

26 Gusht, 2019 - 10:33 pm

“Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.
Me këto fjalë të bukura e të fuqishme në përmbajtjen e tyre, filloi akademia përkujtimore kushtuar Nënës Terezë, në përvjetorin e ditëlindjes së saj dhe 40 vjetorit të marjes së çmimit Nobel për Paqe, shkruan KultPlus.

Nën interpretimin e aktores Arijeta Ajeti, kumbonin fjalët e madhërsishme të shenjtores sonë, duke mbushur sallën me një emocion të pashoq. ”Unë e kam në zemër popullin tim shqiptarë”, ”Vendi im”, ”Duaje jetën” dhe ”Pjesë nga fjalimi i Nënës Terezë në Shejntëroren e Letnicës”, ishin pjesë e këtij manifestimi, që përpos emocionit që përcillnin, fjalët e Nënës Terezë të ofronin një ngrohtësi dhe shpresë të pafund.

Këngët ‘Nënës së mirë- Porosi” dhe ”N’Cërnagore kam një nanë”, u interpretuan nga Kori i Studentëve dhe Lule Brahimi, duke krijuar një atmosferë festive, sepse i tillë ishte edhe ky event. Festohej për gruan e madhe të kombit tonë, e cila edhe pse jo më pjesë e kësaj botë, vazhdon të na falë ndjenjën e madhe të kenarisë.

Ndodhia kryesore e këtij eventi, ishte promovimi i librit të Don Lush Gjergjit, kushtuar Nënës Terezë, të titulluar ”E kam në zemër popullin tem shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Terezë”.


”Pas 16-të veprave kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, ja edhe botimi i 17-të, kushtuar asaj. Përpos 40-të vjetorit të çmimit Nobel për Paqe, këtë vit shënon edhe 50-të vjetori i takimit tim të parë më Shën Nënën Terezë. Ky botim është mjaft burimor, i rrallë dhe i dalluar. Të themi kështu, figurativisht, një lloj ungjilli sipas Nënës Terezë. Aty mund t’i gjeni shtatë intervista ekskluzive. Përshtypjet, përjetimet e përvojat e mia gjatë gjithë këtyre viteve. Përmes këtij librit, populli ynë, tani mund ta njohë për së afërmi ashtu si ajo ishte dhe është, në lidhje me popullin dhe kishën tonë. Ajo na ngriti edhe ne si popull në piedestalin e shenjtërisë. Unë atë po ia kthej kishës dhe popullit shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, porosi, fotografi, dorëshkrime, qe çdo njeri me mendje të hapur e me zemër të mirë, me shenjtëreshën tonë, ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim dashurie”, u shpreh Don Lush Gjergji për librin e tij kushtuar Nënës Terezë.

I pranishëm ishte edhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili në raport me librin kushtuar Nënës Terezë u shpreh i mahnitur nga ajo që kishte parë të jetë thënë për Gonxhe Bojaxhiun.

”Ajo i përket botës mbarë, universit të mrekullueshëm katolik, nënë e të gjithëve, prandaj edhe u shpërblye me çmimin më të lartë, atë të paqes”, u shpreh ai. Ai poashtu për Don Lush Gjergjin tha së është biografi më i mirë i Nënës Terezë. ”Bisedat që janë pjesë e këtij libri, janë nga më të larmishmet, tokësore, flitet për familjen, për varfërinë e dashurinë, për Kishën e Krishtit. Don Lush Gjergji na sjellë nderimin për të”, deklaroi Visar Zhiti.

Xhavit Beqiri përmes fjalimit të tij kushtuar këtij eventi, shprehi mirënjohje të pafund ndaj veprimtarisë së noblistes sonë, siç e quante ai. Duke qenë i fokusuar në fjalimin e saj në marrjen e këtij çmimi, në mënyrën e marrjes së tij, ai e cilësonte atë si një shenjtore të vërtetë. E duke e cituar herë pas herë fjalmin e saj, të asaj ditë të madhe, i rikujtoi publikut se Nëna Terezë me të vërtetë e ka merituar çmimin e marrë e ndoshta edhe më shumë. Beqiri, poashtu përmendi edhe çmimet tjera që kanë zënë vend në listën e çmimeve të marra nga Nëna Terezë, si Medal of Freedom 1985, çmimin Papa Gjoni 1971 etj.


Një dhuratë të bukur pë katedralen, që mban emrin e Shën Terezës, e kishtë bërë Rilind Morina. Ai kishte realizuar portretin e saj, pikërisht për këtë manifestim.

Për të përmbyllur këtë manifestim si është më së miri, publiku u shoqërua nën tingujt e bukur të këngës ”Ti më je si gonxhe”, përmes së cilës i uronin ditëlindjen Nënës Terezë, dhe Dom Fatmirit i cili festonte ditëlindjen në të njëjtën ditë si humanistja jonë e madhe. /KultPlus.com

Të ngjajshme