Shënohet 108-vjetori i shoqatës shqiptaro-amerikane “Vatra”

29 Prill, 2020 - 10:30 am

Shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra” dje mbushi 108 vjet nga themelimi i saj.

Misioni i saj kryesor që prej themelimit ka qenë mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Kjo shoqatë është i pari grup shqiptaro-amerikan që ka lobuar për çështjen shqiptare.

Takimi i parë që bëri bashkë të gjithë shqiptarët në Amerikë, me synimin për të krijuar një federatë të vetme, u zhvillua në 24 dhjetor 1911 në Boston. Takimi për themelimin pati dhe pjesëmarrjen e shoqatës Besa-Besën. Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi.

Takimet vazhduan deri në datën 28 prill 1912, kur dhe Vatra u regjistrua zyrtarisht.

“Vatra” gjatë historisë së saj ka publikuar edhe dy revista: “Dielli” dhe “The Adriatic Review”.

Shtëpia e Vatrës ka një koleksion të mirë të gazetës “Dielli”, gazeta më e vjetër në gjuhën shqipe që vazhdon të publikohet edhe sot, ajo konsiderohet kujtesa historike e “Vatrës”.

Arkivi i Vatrës është jetëshkrimi i saj, që u flet shqiptarëve të Amerikës, sidomos të rinjve, për të kaluarën e këtij komuniteti të gjallë, të larmishëm dhe interesant.

Vatra është organizimi më jetëgjatë në mbarë botën shqiptare. Kontributi i kësaj federate në çështjen kombëtare dhe formimin e shtetit e ka kthyer Vatrën në një simbol të nacionalizmit shqiptar dhe patriotizmit. / KultPlus.com

Të ngjajshme