26 Nëntor, 2024 - 1:43 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se është shënuar 80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
“Dje u shënua 80-vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore e historike në vend”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Akademik Andrija Mutnjakoviq – arkitekti i ndërtesës ikonike të bibliotekës, drejtoresha e BKK-së Blerina Gaxha Rogova, përfaqësues nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe shumë personalitete të kulturës dhe shkencës.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti ndër të tjera theksoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për këtë institucion përmes investimeve në Qendrën e Digjitalizimit dhe pasurimin e fondit librar me mbi 76 mijë tituj të rinjë.
“Këtë ngjarje e bëri shumë të veçantë pjesëmarrja e Akademik Andrija Mutnjakoviq, arkitekti që projektoi ndërtesën, i cili shprehu mirënjohjen për ruajtjen dhe respektimin e kësaj vepre arkitekturore për më shumë se katër dekada. Atij iu nda çmimi jubilar “Pjetër Bogdani”, janë shprehur nga ministria.
Gjatë kësaj ceremonie poashtu u bë lansimi i platformës së bibliotekës digjitale, e cila do të ofroj qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore.
Aktivitetet vazhduan me dy ekspozita, ajo “Antologji e koleksioneve” dhe botimet e Bibliotekës Kombëtare. Ndërsa të pranishmit patën mundësi të shijojnë performancën e veçantë nga Kori i Filharmonisë së Kosovës./KultPlus.com