27 Tetor, 2020 - 7:16 pm
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Audio-Vizuale, ditë që shënohet çdo 27 tetor, e cila është përzgjedhur UNESCO më 2005, sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës kjo datë u shënua me aktivitetin që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe rëndësia e ruajtjes së dokumenteve audio-vizuale si filmat, zërat, video incizimet si dhe programet radio televizive.
Në aktivitet morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ish-ministri e kompozitori Valton Beqiri, regjisori Kushtrim Koliqi, dhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Në fjalën e rastit që ministrja Dumoshi pati në këtë aktivitet ajo foli për rëndësinë e ruajtjes së materialeve audio-vizuale dhe se është një prioritet i institucioneve që ta bëjnë një gjë të këtillë.
“Trashëgimia audio-vizuele është pjesë integrale e identitetit të një vendi dhe si e tillë konsideroj që duhet të jetë prioritet si për institucionet ashtu edhe për mediat dhe për organizatat që merren me çështjet e trashëgimisë. Arkivat audio-vizuale janë një thesar i kujtesës kolektive dhe një burim i çmuar i dijes dhe si të tilla reflektojnë diversitetin kulturor, social e linguistik të shoqërive tona”, tha ministrja Dumoshi.
Ministrja tha se MKRS-ja ka marrë vendim dhe jemi në proces të digjitalizimit të institucioneve në dokumentim të trashëgimisë kulturore. “Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të fillojmë një projekt të madh të kulturës e të trashëgimisë gojore, ku do të mblidhen dhe botohen rrëfimet e dëshmitarëve të luftës”, përmendi ndër të tjera ministrja.
“Është shumë e rëndësishme që trashëgiminë tonë audio-vizuale të periudhës para gjatë dhe pas luftës në Kosovë ta ruajmë përmes shumë mekanizmave dhe të mos e lëmë në harresë meqë do të na shërbejë ta njohim më mirë historinë dhe rrjedhat nëpër të cilat ka kaluar Kosova këto vite”, ka porositur ministrja Dumoshi.
Ndërsa kompozitori Beqiri përmendi se në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat tjera kanë nisur procesin e digjitalizimit të materialit audio që gjendet nëpër arkivat e ndryshme.
Kurse regjisori Koliqi, nga organizata “Integra”, foli për projektin, që me përkrahje të MKRS-së, kanë nisur realizimin e audio-dramave për rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës./ KultPlus.com