Shërimi me tinguj – një terapi për mendjen, trupin dhe shpirtin tonë

3 Shtator, 2022 - 3:30 pm

Efekti i tingullit është padiskutim i fuqishëm, me një aftësi të jashtëzakonshme për të shëruar dhe rivendosur ekuilibrin brenda nesh, përcjell KultPlus.

Koncepti i terapisë së tingullit ekziston për mijëra vjet dhe bazohet në idenë se gjithçka në univers, duke përfshirë edhe trupat tanë, është në një gjendje vibrimi. Çdo pjesë e organ i trupit tuaj krijon një vibrim që rezonon në një frekuencë të caktuar.

Në kohët parahistorike, shamanët këndonin teksa i binin daulleve për të shëruar njerëzit. Në kohët e mëvonshme, shkollat ​​e lashta mistike në Greqinë Antike, Indi dhe Egjipt besonin se përdorimi i tingullit për shërim ishte një shkencë shumë e zhvilluar dhe e shenjtë.

Duke i analizuar thellësisht parimet dhe studimet shkencore, teknika të arritshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme, terapistja e tingullit Arta Gjakova zbulon se si tingulli mund të përdoret si një terapi për mendjen, trupin dhe shpirtin tonë.

Pasi vijoi trajnimet në ‘Asociacionin për Shërim me Tinguj’ në Belgjikë, nga mentorë të njohur në këtë fushë, Nestor dhe Michele Averard, Arta Gjakova tashmë që 7 vite merret në mënyrë aktive me ‘Terapi të Tingullit’.

Një javë më parë (26 gusht), Arta performoji në “Social Cultural Space”, në Tetovë. Këtu mund ta ndiqni video incizimin nga ai koncert meditativ: https://www.youtube.com/watch?v=d78cbamHAR0

Terapia e tingullit është një trajtim holistik, pra gjithëpërfshirës, që përdor tingullin, vibrimin dhe frekuencat e ndryshme për t’ju futur në një gjendje të thellë meditimi, shpjegon ajo.

Në këtë përvojë medituese, të pranishmit “lahen” nga valët e tingullit. Këto valë prodhohen nga burime të ndryshme, duke përfshirë instrumentet shëruese si gongët, tasat tibetian, pirunët akordues e shumë instrumente tjera edhe madje dhe vetë zëri i njeriut si një nga instrumentet më të fuqishme në terapinë e tingullit, shton ajo mes tjerash.

Gjatë një seance të tillë, pjesëmarrësit shtrihen në shpinë – nganjëherë referuar si pozicioni i ‘Savasana’ në joga – gjatë gjithë këtij procesi.

Ndoshta, pjesa më e mirë është se ju nuk keni nevojë të bëni asgjë, përveçse të shfaqeni me veshje të rehatshme dhe t’i pranoni tingujt që vijnë përreth jush, ndërsa jeni të shtrirë në paqe.

Është një përvojë unike që nuk mund të krahasohet me terapi të tjera dhe potencialisht një shtesë e mrekullueshme për çdo program shërimi ose mirëqenieje.

Terapia e tingullit funksionon përmes një procesi të quajtur ‘rezonancë simpatike’. Kjo është kur valët e një burimi përputhen me valët nga një burim tjetër. Në këtë rast, truri juaj përputhet dhe bie në sinkronizim me frekuencat qetësuese nga instrumentet terapeutike që luajnë. Dhe ne e quajmë këtë tërheqje. Kjo përputhje e valëve lejon trurin të relaksohet.

“Truri kalon nga një gjendje beta-dominuese e valëve të trurit (kjo është kur jemi të përqendruar ose të stresuar) në një gjendje të relaksuar dhe çlodhëse të valëve alfa (gjendje e thellë meditative). Tingujt që dëgjoni gjithashtu nxisin sistemin tuaj nervor parasimpatik. Kështu, frymëmarrja juaj bëhet e relaksuar dhe rrahjet e zemrës suaj gjithashtu ngadalësohen. E gjithë kjo inkurajon trupin tuaj që të bjerë në një relaksim vërtet të thellë.

Çdo organ, çdo qelizë në trup ka frekuencën e vet rezonuese. Kur një organ në trup nuk vibron në frekuencën e tij, kjo do të ndikojë në të gjithë trupin.

Nëpërmjet parimit të rezonancës është e mundur të përdoret tingulli për të rikthyer trupin në harmoni dhe në gjendje përsëri të shëndoshë.”

Praktika e shërimit me tinguj është treguar të ketë disa benefite, duke përfshirë:

  • rritjen e relaksimit
  • manifestim të perspektivave të reja dhe më pozitive në udhëtimin tonë jetësor
  • gjendje më të arritshme meditative
  • dhimbje fizike të reduktuara ose të shëruara
  • ndërgjegje dhe vetëdije të zgjeruar
  • stresi i reduktuar
  • rraskapitja e pakësuar
  • nivele të rritura të energjisë
  • përmisim të gjumit

Unë rekomandoj Terapinë me Tinguj për të gjithë ata që janë të prekur nga stresi i botës së sotme moderne, por edhe për të gjithë ata që duan të krijojnë një lidhje më të shëndoshë dhe reflektuese me veten. Është një recetë e fuqishme jo farmaceutike për vetë-shërim që ka vetëm efekte pozitive anësore, si harmonia, shëndeti dhe lumturia”, thotë Gjakova.

Ne po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme; kohë të ndryshimeve të mëdha në vetëdije. Tingulli luan një rol kyç në ketë tranzicion, sepse ndihmon të përshtatemi me zhvendosjet e frekuencës që ndodhin në kaq shumë nivele apo shtresa në jetën tonë. /Besir Bajrami/ KultPlus.com

Të ngjajshme