29 Gusht, 2022 - 12:54 pm
Nga Prishtina, “Sunny Hill Festival”, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare, mbrëmë mbylli siparin në Tiranë, event ky që u zhvillua në mjediset e parkut të Liqenit Artificial, shkruan KultPlus.
Mbrëmë në natën e tretë të festivalit interpretuan artistët si: Stormzy, Mc Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Mozzik, Getinjo, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Nika Paris- Vegas Jones- Rooms, Barny Fletcher, Alban Chela, Ardian, Rrrrron.
Gjatë kësaj mbrëmje u shfaq në ekranin e madh të festivalit edhe flamuri kombëtar me yll, që ishte pjesë e videoklipit të këngës “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” nga Asgjë Sikur Dielli, e kjo gjë nxiti reagime të shumta dhe nuk u prit aspak mirë.
Gazetari Olti Curri bëri një reagim të ashpër ndaj festivalit e në veçanti ndaj Dukagjin Lipës.
Sipas tij, Lipa është paguar që të bëjë këtë veprim në festivalin e tij.
“Sa leke more Dukagjin Lipa qe pshurre mbi eshtrat dhe gjakun e dhjetra mijra shqiptareve te pafajshem qe diktatura komuniste me yllin me pese cepa qe nxorre zotrote mbreme ne Sunnyhill, ka shkelur pa meshire. Sa miliona firmose per vete dhe vajzen tende qe as nuk denjoi te kendoje ne festivalin e saj ne Tirane kur ja bere qejfin Rilindjes duke shfaqur para te rinjve yllin komunist te baballareve te tyre diktatore?
Sa leke tu deshen Dukagjin Lipa qe ti hapesh plage nenes mirditore qe komunistet e internuan e lane pa buke e pa kasolle dhe foshnja e saj vdiq nga te ftohtet. As varr nuk i dhane komunsitet me yll ne ball, dhe qe truoin e femijes mos ta shqyenin qente, nena e vetme pa asnje qe ta ndihmonte gjeti nje luge hekuri te rene nje ushtari dhe me ate luge hapi varrin e femijes se porsavdekur…”, shkruan Curri.
Por, ditën e sotme ka reaguar edhe këngëtari Alban Nimani i cili është shprehur se kënga në fjalë është publikuar në vitin 2005 dhe është një parodi e stilit Monty Python. Madje sipas tij, shfaqja e flamurit me yll nuk ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit, përkundrazi, në video klip shembet komunizmi.
“Videoklipi i këngës “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” është publikuar në vitin 2005, dhe është një parodi e stilit Monty Python, ku trajtohen ngjarjet dhe figurat historike nga antikiteti deri në ditët e sotme, në mënyrë surrealiste dhe ironike.
Shfaqja e flamurit kombëtar me yll, nuk ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit, përkundrazi, në video klip shembet komunizmi.
Ne jemi shumë koshient për persekutimet, krimet dhe vuajtjen që e ka shkaktuar komunizmi në Shqipëri, sepse edhe i perkasim familjeve të persekutuara.
It’s only Rock n’Roll ”, shkruan Nimani. / KultPlus.com