Shime Deshpali, ky kontributor i vlerave përfaqësuese të kulturës dhe traditës arbëreshe

16 Shkurt, 2025 - 2:54 pm

Albert Vataj 

Shime Deshpali është një nga emrat më të rëndësishëm të kulturës arbëreshe, një personalitet i shquar që i dha muzikës dhe letërsisë një identitet të veçantë. Kompozitor, pedagog dhe shkrimtar, ai jetoi dhe krijoi në një kohë sfidash të mëdha historike, por gjithmonë mbeti i lidhur me rrënjët e tij shqiptare. Përmes veprave muzikore dhe letrare, Deshpali u bë një urë lidhëse mes trashëgimisë arbëreshe dhe zhvillimeve moderne artistike. Jeta e tij është një histori pasioni dhe përkushtimi ndaj artit, një dëshmi e pashlyeshme e ndikimit që mund të ketë një krijues i madh në kulturën e një populli.

Më 16 shkurt 1897, në Arbanas të Zarës, lindi Shime Deshpali, kompozitori i shquar, pedagogu i muzikës dhe shkrimtari arbëresh. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje, ku nisi edhe Shkollën Përgatitore të Mësuesit, në klasën e At Pashk Bardhit. Megjithatë, për shkak të Luftës së Parë Botërore, ai u detyrua ta braktiste, për ta vijuar më pas në vitin 1918 dhe për ta përfunduar me diplomim në vitin 1920.

Formimin muzikor e mori në Zarë, ku studioi me disa nga profesorët më të njohur të kohës, si Frane Lederer, Francesco Spade, Josip Chladek dhe Karel Moore. Pas aneksimit të Zarës në vitin 1920, ai ushtroi veprimtarinë e tij në qytete të ndryshme si Hvar, Pag, Rab, Blato dhe Dubrovnik, duke qenë një nga iniciatorët kryesorë të jetës muzikore në këto vende. Me pasion dhe përkushtim, themeloi një sërë korresh dhe orkestrash, ndërsa shërbeu si dirigjent në teatrot e Dubrovnikut dhe Zarës. Përveç kësaj, dha mësim në shkollën e muzikës dhe në gjimnazin e Zarës.

Si kompozitor, Deshpali e bazoi krijimtarinë e tij në elementet e folklorit, duke i dhënë veprave të tij një identitet të veçantë muzikor. Përveç muzikës, ai ishte i përkushtuar edhe ndaj letërsisë, duke shkruar kryesisht në gjuhën shqipe. Veprat e tij letrare u botuan kryesisht në Kosovë, ndër të cilat veçohen: Tregime Arbnore (1966), Agimet dhe parambramjet e Arbneshit (1969), E vërteta (1972) dhe Vana (libreto për muzikë dhe opera, e papërfunduar).

Shime Deshpali u nda nga jeta më 16 janar 1981, në Zara (Zadar).

Në foto: Shime Deshpali me fëmijët e tij, Maja dhe Pali (Pavle) me violinë dhe Valteri me violonçel./KultPlus.com

Të ngjajshme