6 Janar, 2021 - 6:00 pm
Veprimi joserioz i këngëtares Rita Ora në kohë pandemie, i ka kushtuar shumë edhe financiarisht.
Ylli i njohur i muzikës që i pati thyer rregullat e vetizolimit duke organizuar ndejë në një restorant në Londër, në kohën kur i gjithë vendi ishte i karantinuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19, besohet se më nuk është fytyra reklamuese e fushatës së fundit të operatorit telefonik anglez “EE” dhe kompanisë “Apple”.
Bukuroshja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, ishte pjesë e reklamës digjitale e cila kishte për qëllim ta promovojë lansimin e telefoni mobil “Apple 12 Pro”, në muajin nëntor, por morri vëmendje negative në mediat botërore si pasojë e shkeljes së masave anti-Covid dy herë, dhe si pasojë kompania “Apple” e ka shkarkuar atë nga detyrat në fushatën e tyre reklamuese.
Në një shkrim të fundit të publikuar në gazetën “The Daily Mirror”, thuhet se: “Operatori ‘EE’ i merr shumë seriozisht masat anti-Covid dhe nuk kanë dashur të duken sikur po mbështesin veprimet e gabuara të këngëtares, dhe kështu kanë vendosur se është më mirë të mos e kenë Orën fytyrë të markës së tyre”.
Ylli i hitit “Hot Right Now” shkeli rregullat e karantinës dy herë. Një herë me t’u kthyer në shtëpi nga një udhëtim në Egjipt dhe nuk u vetizolua, dhe një herë duke e festuar ditëlindjen në një restorant e shoqëruar nga 30 të ftuar.
Nga atëherë, pop ylli 30-vjeçar përveç se kërkoi falje publike përmes një postimi në rrjetet sociale, po ashtu doli vullnetare për ta paguar shumën maksimale të shkeljes së masave anti-COVID, që e kap shifrën prej 10 mijë funtesh.
Reklama digjitale me titull “Rita Ora Skyline”, e shfaq atë duke vallëzuar dhe kënduar hitin e saj, “Let You Love Me”. Rita shfaqet edhe në formë të avatarit, e veshur me një kostum ngjyrë ari, derisa pjesë e reklamës është edhe aktori i njohur hollywoodian, Kevin Bacon./ KultPlus.com