2 Dhjetor, 2020 - 7:37 pm
“CSIRO”, agjencia kombëtare australiane e shkencës, ka njoftuar të martën se teleskopi i saj i ri ka krijuar “një atlas të ri të universit” brenda një kohë rekorde, duke shpërfaqur një detaj të paparë, shkruan BBC.
Ky teleskop ka krijuar kësisoj një hartë me gjithsej tre milionë galaktika, duke përdorur fotografi që shpalosën hollësi dyfish më të konkretizuara sesa ato të ekspertizave të mëparshme, thuhet në studim.
Astronomët shpresojnë se fotografitë do të hedhin dritë drejt zbulimeve të reja rreth universit.
“CSIRO” ka bërë të ditur se vënia në hartë ka marrë gjithsej vetëm 300 orë kohë, përderisa të gjitha ekspertizat qiellore të mëhershme kishin kërkuar vite të tëra punë. Përderisa publikimi i të dhënave tanimë është në dispozicion, shkencëtarët përreth botës do të kenë mundësi të studiojnë “gjithçka, që nga formimi i yjeve deri te mënyra se si galaktikat dhe vrima e madhe e zezë evoluojnë dhe ndërveprojnë”, ka thënë autori kryesor i studimit, David McConnell.
“Presim që të gjejmë dhjetëra miliona galaktika të reja gjatë ekspertizave të ardhshme”, ka shtuar ai. Rezultatet fillestare ishin publikuar të martën në Publikimet e Shoqërisë Astronomike të Australisë.
Çfarë është teleskopi ASKAP?
“The Australian Square Kilometre Array Pathfinder” apo ASKAP është një koleksion i 36 antenave satelitore që punojnë bashkërisht për të kapur panorama të qiellit.
Sistemi është i vendosur në hemisferën jugore në Australinë Perëndimore. Shtrihet përreth një zone prej 6 kilometrash në observatorin Murchison të CSIRO-s, rreth 700 kilometra në veri të Perthit.
Duke i kombinuar sinjalet nga satelitët më të vegjël, teleskopi krijon imazhe të nivelit të lartë në një fraksion që kushton sa një antenë satelitore shumë e madhe, ka njoftuar CSIRO.
Sasia e madhe e të dhënave – të gjeneruara në një shkallë më të shpejtë sesa tërë trafiku i internetit të Australisë – më vonë dërgohet në objektin e llogaritjes së procesimit në Perth për t’i krijuar imazhet.
Çfarë në fakt është zbuluar?
“ASKAP” ka kryer ekspertizën e parë të tij këtë vit, duke mbuluar 83 për qind të qiellit dhe duke përfshirë edhe tri milionë galaktika.
Harta është përpiluar tërësishëm, duke i përdorur vetëm 903 fotografi tepër të detajuara. Për një gjë të tillë, hulumtimet e mëhershme kishin nevojë për dhjetëra e mijëra imazhe të këtilla, në mënyrë që të formësohet një fotografi e plotë e qiellit.
Astronomët kanë thënë se thellësia dhe shkalla e precizitetit ishin emocionuese, për shkak se duke bërë katalog të miliona galaktikave përtej Rrugës së Qumështit, do të mund të përpiloheshin edhe analizat statistikore. Këto mund të ndikojnë që edhe të kuptohet se si universi ka evoluar dhe është strukturuar.
Teleskopi ASKAP-it është një nga shenjat paralajmëruese për një projekt ndërkombëtar drejt ndërtimit të një radioteleskopi më të madh në botë – “Square Kilometre Array”, i cili do të vendoset në Afrikën Jugore dhe në Australi./KultPlus.com