Shkencëtarët: Mbroni natyrën ose përballuni me pandemi më vdekjeprurëse se Covid-19

29 Tetor, 2020 - 9:01 pm

Bota është futur në një “epokë pandemish” dhe nëse shkatërrimi i natyrës nuk ndalet, më shumë të tilla do të përhapen shpejt duke vrarë akoma më shumë njerëz. Kjo sipas një raporti të ri të përgatitur nga shkencëtarë të lartë që veç impaktit në njerëz, pasojat do t’i ndjejë edhe ekonomia globale.

Përhapja e sëmundjeve si Covid-19, gripi i shpendëve apo HIV-i ka ardhur nga kafshët e egra dhe është nxitur nga dëmtimi i tokave ku jetojnë këto specie, duke i sjellë njerëzit akoma më afër me to, sipas ekspertëve.

Në raport thuhet ndër të tjera: Rreziku nga pandemitë po rritet me shpejtësi të madhe. Më shumë se 5 sëmundje të reja rrezikojnë njerëzit çdo vit, dhe secila prej tyre ka potencial që të kthehet në pandemi. Vlerësohet se janë më shumë se 500,000 viruse të panjohura në gjitarë dhe zogj që mund të infektojnë njerëzit.

Peter Daszak, kryetari i grupit të thirrur nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, u shpreh:

“Nuk ka mister të madh rreth shkakut të pandemisë së koronavirusit, apo të çdo pandemie moderne. Të njëjtat aktivitete të njerëzve që mund të shkaktojnë ndryshimet klimaterike dhe humbje të biodiversitetit, mund të rrisin rrezikun e pandemive me impaktin që kanë në mjedis.

Ndryshimet në mënyrën sesi ne e përdorim tokën: zgjerimi dhe intensifikimi i agrikulturës, dhe tregtia e paligjshme,…dhe rritja e kontaktit mes njerëzve dhe jetës së egër, bagëtive e patogjenëve. Kjo është rruga drejt pandemive. Është e mundur që të shpëtojmë nga epoka e pandemive, por për këtë duhet ndryshim në mënyrën sesi përgjigjemi. Nga marrja e masave dhe zhvillimi i vaksinave, të kalojmë në parandalim të sëmundjeve.”

Ndërsa, Andy Jones, profesor i shëndetit publik nga Universiteti i Anglisë Lindore, tha:“Humbja e biodiversitetit, ndryshimi i klimës, tregtia ndërkombëtare dhe rritja e pakontrolluar e popullsisë po krijojnë kushte që e bëjnë të paevitueshme një pandemi tjetër globale. Nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, pyetja nuk është nëse do të shohim një pandemi tjetër si Covid, por thjesht kur do të ndodhë?” /abcnews.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme