12 Prill, 2025 - 5:31 pm
Për herë të parë, shkencëtarët njoftuan se kanë sjellë sërish në jetë ujkun e madh të epokës së Pleistocenit – disa mijëra vjet pas zhdukjes së tij, sipas “CBS News”.
“Colossal Biosciences”, një kompani bioteknike me qendër në Dallas, tha se ka mundësuar lindjen me sukses të tre ujqërve – një specie që dikur endej në Amerikën e Veriut, por e zhdukur për më shumë se 12,500 vjet – duke përdorur shkencën revolucionare.
CEO i “Colossal”, Ben Lamm tha se ekipi i tij kishte përdorur ADN-në nga një dhëmb 13,000-vjeçar dhe një kafkë 72,000-vjeçare – për të analizuar gjenomin e plotë të specieve dhe për të krijuar tre këlyshë të shëndetshëm të ujkut.
“Colossal” tha se shumë fosile të ujqërve u ruajtën në gropat e katranit të La Brea, në zonën e Los Anxhelosit, por ADN-ja e specieve nuk u ruajt në katran.
Por, duke përdorur dy mostra të ujkut – nga një studim ndërkombëtar mbi speciet e zhdukura – “Colossal” ishte në gjendje të zbulonte ADN-në e tij.
Shkencëtarët e kompanisë arritën të analizonin gjenomin e specieve – ose të gjithë grupin e ADN-së së tij.
Më pas ata përdorën CRISPR, një teknologji e modifikimit të gjeneve, për të modifikuar gjenetikisht qelizat e një ujku të gjallë ngjyrë gri.
Zakonisht, klonimi mbështetet në mostrat e indeve, por “Colossal” ishte në gjendje t’i përdorte këto qeliza të modifikuara për të krijuar embrione, më pas i transferoi ato te një surrogat – një qen shtëpiak – për t’u rritur.
“Colossal Biosciences” solli në jetë dy ujqër meshkuj, të quajtur Romulus dhe Remus, dhe një femër, të quajtur Khaleesi si personazhi i “Game of Thrones”.
Kritikët thonë se ngjashmëria fizike dhe gjenetike me një specie të zhdukur nuk mund të ringjallet plotësisht.
“Çfarëdo funksioni ekologjik që kryente ujku përpara se të zhdukej, nuk mund t’i kryejë më ato funksione në mjedisin e sotëm”, tha Vincent Lynch, një biolog në Universitetin e Bufalo, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. /atsh/ KultPlus.com