11 Prill, 2023 - 11:45 am
Gjatë kohëve të fundit, shkenca ka evoluar me ritme të jashtëzakonshme, por ChatGPT e çoi në një tjetër nivel këtë zhvillim. Megjithatë, shkencëtarët duket se nuk kanë ndërmend të ndalen, madje po pretendojnë se do t’i bëjnë njerëzit e pavdekshëm, të paktën virtualisht.
Dr Pratik Desai, një shkencëtar që ka punuar në themelimin e shumë startupe të Silicon Valley AI, tha se nëse njerëzit kanë video të të dashurve të tyre, mundësia që “ata të jetojnë me ju përgjithmonë është në nivelin maksimal, 100 përqind”. Desai, i cili ka krijuar sistemin e tij të ngjashëm me ChatGPT, shkroi në Twitter : “Kjo duhet të jetë e mundur deri në fund të vitit”.
Shumë shkencëtarë besojnë se përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale, të cilat ChatGPT po i kryeson, janë gati të sjellin një epokë të re të artë për teknologjinë.
Megjithatë, personat më me ndikim në botë janë të ndarë për teknologjinë. Elon Musk dhe me qindra persona të tjerë të rëndësishëm në teknologji kanë bërë thirrje që të bëhet një “pushim”, duke paralajmëruar se mund të shkatërrohet njerëzimi. Në anën tjetër, Bill Gates është një nga ata që mendon se inteligjenca artificiale do të përmirësojë jetën tonë.
Desai mendon njësoi si Bill Gates dhe beson se ne mund të rikrijojmë të dashurit tanë si “avatarë” që jetojnë në një kompjuter!
Ky proces, të cilin as do ta kishin çuar në mend personat e varur pas teknologjisë para pak vitesh, do të përfshijë digjitalizimin e videove, regjistrimeve zanore, dokumenteve dhe fotove të personit, të cilat do të futen më pas në një sistem me inteligjencë artificiale, e cila mëson gjithçka mbi personin. Më pas, përdoruesit mund të dizajnojnë një avatar specifik, i cili duket dhe vepron njësoj si i afërmi i tyre./ a2cnn / KultPlus.com