8 Shtator, 2024 - 8:30 pm
Shkodra vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota edhe gjatë muajit Shtator, duke dëshmuar se është një destinacion i preferuar për pushuesit që kërkojnë një përzierje të kulturës, historisë dhe natyrës.
“Jemi prej 3 orësh këtu dhe impresioni i parë është se është pjesa më e këndshme e Shqipërisë. Do rrimë të paktën 3 ditë dhe do të vizitojmë liqenin e Komanit”.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndroj këtu një javë sepse shoku im nga Amerika jeton këtu”.
“Na pëlqen shumë Shqipëria, kishim 30 vite që donim ta shihnim”.
Liqeni i Shkodrës, Kalaja e Rozafës dhe qendra historike e qytetit janë disa nga pikat më të vizituara nga turistët, të cilët shijojnë edhe ushqimet tradicionale dhe mikpritjen e banorëve vendas.
“Shkodra është shumë interesante për t’u parë, ka shumë turistë”.
“Jam nga Gjermania. Këtu është kaq bukur dhe njerëzit janë kaq miqësorë. Ne absolutisht duam të vizitojmë sërish Shkodrën”.
“Na pëlqejnë njerëzit, na pëlqen panorama rreth Alpeve, na pëlqen çdo gjë. E nisëm turin në Prishtinë, Vizituam Prizrenin dhe Gjakovën dhe dje kemi ardhur këtu me varkë nga lumi i Shalës. Do rrimë dy javë dhe turin do ta përfundojmë në Berat. Grupi ynë është i gjithë nga Australia”.
Operatorët turistikë kanë vënë re një rritje të interesit nga turistët evropianë dhe rajonalë, të cilët e zgjedhin Shkodrën për pushime të shkurtra dhe të qeta.
Sipas të dhënave të fundit, hotelet dhe bujtinat lokale po punojnë me kapacitet të plotë./Tv Klan/ KultPlus.com