Shkodra me mole turistike, projekti që rikthen lundrimin në Bunë

11 Janar, 2024 - 11:57 am

Në Shkodër vijon puna për ndërtimin e moleve në lumin Buna. Ky projekt, përfitues i të cilit është bashkia Shkodër, synon të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, projekti parashikohet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti dhe pritet ta shndërrojë Shkodrën në një pol të rëndësishëm të zhvillimit turistik, ku këtij projekti i bashkëngjitet dhe muzeu i lundrimit dhe të paktën 20 varka turistike të cilat do të ankorohen në këto mole.

Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës synojnë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës-Shirokës-Zogajt dhe Vir Pazarit. Molet që do ndërtohen do të jenë një vlerë të shtuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, në zhvillimin e paketave të integruara turistike midis dy vendeve.

Bashkia e Shkodrës është e angazhuar që këto mole të jenë jo vetëm pika për ankorimin e varkave të lehta dhe nxitjes së lundrueshmerisë në liqen, por edhe si qendra rekracionale në të cilat do të jetë e mundur të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore e mjedisore që nxisin turizmin. / Klan News / KultPlus.com

Të ngjajshme