6 Shkurt, 2024 - 10:10 am
DRTK Shkodër në rubrikën e saj Amarcord, publikoi në rrjetet sociale një foto të hershme nga festimi i karnavaleve prej komunitetit të krishterë, në këtë qytet.
Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve `90.
Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.
Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshëm shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo. / atsh / KultPlus.com