18 Tetor, 2024 - 4:18 pm
Shkodra mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të kërkimit shkencor arkeologjik në Shqipëri, me interes për misionet e huaja kërkimore, të cilat plot përkushtim i dedikohen kërkimit në terren vit pas viti.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se misioni shqiptaro-francez drejtuar nga dr. Etleva Nallbani, CNRS PARIS dhe dr. Elvana Metalla, Instituti Arkeologjik Tiranë vijojnë hulumtime të rëndësishme arkeologjike në dy vendbanime përfaqësuese të Mesjetës së Hershme: Qytetit mesjetar të Sardës në ishullin e Shurdhahut dhe vendbanimit të Komanit, si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Lugina e Drinit”.
Ndërsa projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak drejtuar nga prof. Piotr Dyczek – arkeolog, drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, Poloni, prof. Saimir Shpuza, Instituti i Arkeologjisë Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog pranë DRTK Shkodër, vijojnë kërkimet arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek. IV-II para Krishtit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë, DRTK Shkodër shpreh mirënjohje për punën e palodhur në mbledhjen e të dhënave mbi kulturën, urbanizimin, zhvillimin, zhvendosjen e popullsive, riteve dhe stadit që kishin arritur këto vendbanime./atsh/KultPlus.com