9 Prill, 2020 - 5:00 pm
Në kulmin e krizës së shkaktuar nga pandemia e virusit covid19, Shkodra zgjodhi ta shpërfillë frikën dhe izolimin, duke mbledhur për dy ditë rresht 42 biznese turistike.
Të përzgjedhur në mesin e 60 sipërmarrjeve turistike dhe të agrobiznesit nga 5 bashkitë e Qarkut, bizneset sollën ide novatore për ta rigjeneruar sektorin e turizmit pas krizës aktuale që ka prekur thellë edhe operatorët turistikë në Shkodër. Anulimin e mijëra netëve fjetje në strukturat akomoduese e për rrjedhojë edhe të gjithë zinxhirin e shërbimeve mbështetëse të këtij sektori, sipërmarrësit e turizmit nga bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës e Fushë-Arrëz, e madje edhe nga Tropoja e Tirana, mendojnë ta rikuperojnë me diversifikimin e ofertës së tyre turistike. Sipas sipërmarrësve, që nga resortet luksoze e deri te përpunuesit artizanalë të produkteve tradicionale, duhet shfrytëzuar nevoja e njerëzve për ta kapërcyer traumën e izolimit pasi të hiqen kufizimet e lëvizjes, dhe njëkohësisht edhe buxheti i limituar me të cilin ata do të dalin nga shtrëngimet financiare dhe ekonomike të krizës. Për këtë arsye, gjatë prezantimit të ideve të tyre përpara jurisë, sipërmarrësit e vlerësuan si të drejtë pritshmërinë e një rritjeje të lehtë të turizmit të brendshëm pas pandemisë, kryesisht drejt natyrës dhe zonave rurale.
Sipërmarrësit u përzgjodhën në bazë të një Thirrjeje për Aplikime që #GO2Innovation – Qendra e sapokrijuar e Inovacionit për turizmin dhe agrobiznesin në Qarkun Shkodër shpalli në fillim të muajit Mars. Një juri teknike zgjodhi 42 biznese për fazën e dytë, e cila përfshinte një prezantim të idesë së tyre inovative përpara jurisë, mirëpo shpallja e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore i dha një drejtim tjetër punës në të gjithë botën, duke e orientuar atë drejt punës në distancë. Prandaj, brenda një kohe rekord, pjesëtarë te ekipit të kësaj Qendre Inovacioni rikonceptuan gjithçka në kushtet e reja. Për këtë, ata shfrytëzuan Zoom, platformën që këto ditë e bëri themeluesin e saj Eric Yuan një ndër miliarderët e rinj të botës.
Në fillim u zgjodh juria, në përbërje të së cilës ishin ekspertë dhe sipërmarrës të suksesshëm: Pezana Rexha, Xaira Kastrati, Alda Dhamo, Shkëlzen Marku dhe Gojart Smaja. Më pas, ndonëse në kushte ndalimqarkullimi, duheshin kontaktuar me të gjitha mjetet dhe në mënyrë të përsëritur të gjithë sipërmarrësit e përzgjedhur, për t’ua shpjeguar modalitetet e intervistimit online, përmes video-thirrjeve në Zoom. Natyrisht që kjo është e lehtë për këdo që jeton në qendrat urbane, por gjysma e aplikimeve në #GO2Innovation vinin nga zonat e thella malore ku mungon rruga, sinjali telefonik apo energjia elektrike, e për këto e të tjera arsye, frekuentimi i teknikave dixhitale është më i kufizuar. Megjithatë intervistat me 5 grupet e sipërmarrësve u realizuan brenda afateve të parashikuara nga organizatorët. Sipërmarrës nga bjeshkët e Vermoshit, nga malet e Pukës, nga Thethi, nga Kryeziu i Fushë-Arrëzit, Tamara, por edhe nga fshatrat përreth Koplikut, Shkodrës e Pukës ndanë me jurinë dhe audiencën gjithnjë e në rritje, idetë e tyre të biznesit, që nga ngritja e një pularie apo ofrimi i xhirove me kuaj, e deri te shërbimi i ruajtjes së bagazheve të turistëve gjatë qëndrimit në Shqipëri. Idetë më të mira do të zgjidhen nga juria, ndërsa bizneset fituese do të përfitojnë një seri shërbimesh nga Qendra e parë e Inovacionit e dedikuar për turizmin dhe agrobiznesin në zonat rurale, ngritur me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Tiranë (SIDA).
Për dy ditë rresht, më 6 dhe 7 Prill, u mbajtën më shumë se 14 orë prezantime dhe intervista në seanca të ndara me grupet e biznesit të madh (6 sipërmarrës), të artizanatit (5 sipërmarrës), të agroturizmit (9 sipërmarrës), të start up-eve (12 sipërmarrës) dhe të turizmit (10 sipërmarrës). Përveç sipërmarrësve që mbrojtën idetë e tyre para jurisë, seancat u ndoqën edhe nga publiku i interesuar. Organizatorët shprehen të kënaqur nga ecuria e seancave. Madje zhvilluesja e këtij projekti, drejtorja ekzekutive e Organizatës GO2, Eltjana Shkreli thotë se gjatë këtyre ditëve pati debat të gjerë mes sipërmarrësve dhe anëtarëve të jurisë, sidomos në seancat e biznesit të madh, start up-eve dhe turizmit. Shumica e sipërmarrjeve të turizmit e jo vetëm, janë biznese familjare, prandaj pati kaq shumë pasion në diskutimet e tyre, thotë Shkreli, duke veçuar sidomos sipërmarrësit e rinj, që sipas saj, kanë nevojë për maturi vlerësim real sa të të potencialeve, aq edhe të rrezikut.
Sipas Shkrelit, është i admirueshëm fakti se shumica e sipërmarrjeve konkurruese në #GO2Innovation drejtohen nga vajza të reja dhe gra, të cilat synojnë të krijojnë ekonomi familjare per vete dhe punësim për gratë e zonave përreth, sepse ato synojnë të nxisin impakt të fortë jo vetëm ekonomik, por edhe social.
Edhe për sipërmarrësit, si dhe për anëtarët e jurisë, ekspertë të sipërmarrjes, të inovacionit, të marketingut dhe të sektorit bankar, dy ditët e seancave ishin një përvojë frymëzuese në këto ditë të pazakonta. Ata vlerësuan dëshirën e sipërmarrësve për gjetjen e alternativave për kapërcimin e situatës post-pandemike, si dhe lehtësimin e plagëve që ekonomia në përgjithësi, e sidomos sektori i turizmit do të marrë nga kriza botërore.
Organizata GO2 ka një kontribut të hershëm në sektorin e turizmit në Qarkun Shkodër, përmes krijimit të disa prej paketave më origjinale turistike e që shtrihen në të gjithë zonën, të promovimit të lëvizjes me biçikletë si një atraksion turistik, të organizimit të katër konferencave vjetore për turizmit në këtë qark, të hartimit të Kalendarit të parë të Festave në nivel kombëtar – “Veriu është Festë” etj. Megjithatë, ndër kontributet më të rëndësishme të këtij ekipi për sektorin e turizmit në Shkodër është padyshim konceptimi dhe realizimi i Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Thethit.