Shkolla e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër, 3 dekada histori

20 Prill, 2022 - 11:42 am

Më 26 shtator 1990 për herë të parë në Zvicër u hap një shkollë për mësimin e gjuhës shqipe. Ishte një dëshirë e madhe dhe punë e palodhur e Selami Bajrami dhe Azem Sadullahu kryetar dhe sekretar i Këshillit Prindëror si dhe anëtarëve të këtij këshilli. Kjo shkollë u hap në një moment të vështirë, nuk ishte vetëm një akt patriotik por hapja e një shkolle jashtë suazës së Ambasadës së Jugosllavisë ishte  edhe një çështje politike që mund të kishte pasojat e saj.

Prandaj ky aktivitet në shërbim të shkollës shqipe ishte dhe është akt atdhetarie, të cilin akt e morën mbi supe veprimtarët e Këshillit prindëror të Kantonit të Glarus-it, në krye me kryetarin e saj Selami Bajrami dhe më 26 Shtator 1990 hapën edhe Shkollën e Parë shqipe, në Bilten, të kantonit të Glarus-it, që në fakt ishte edhe shkolla e parë në Zvicër.

Sot pas tridhjet vitesh dy pionerët e hapjes së shkollës tregojnë për historikun e saj, vështirësitë dhe arritjet.

Si ndiheni sot pas 30 vjetësh?

(Përgjigja është e thjeshtë ashtu siç ishte dhe është puna e tyre në shërbim të shkollës shqipe. E thjeshtë, e urtë, dëshirë dhe ideal). Ndajnë të njëjtin mendim: në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit prindëror kemi kryer një obligim kombëtar ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj të gjithë fëmijëve, që po lindin dhe po rritën në vend të huaj.

Ç`do të thotë të hapësh shkollë shqipe jashtë ombrellës së Ambasadës së Jugosllavisë, më 1990?

Selami Bajrami: Ishte një përpjekje që të konfrontonte me ligjet e shtetit, nën sundimin e të cilit, ishin të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi…

Azem Sadullahu: Ishte një përpjekje që kishte rrezikun politik, por mbi të gjitha dominonte vullneti, dëshira dhe ideali për t`u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga vargojt e politikës jugosllave.

A ishin pjekur kushtet për një gjë të tillë?

Selami Bajrami: Duke e njohur diskriminimin dhe kufizimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetonim nën Jugosllavinë antishqiptare, ne që ishim në mërgim mendonim se kishte ardhur momenti të veprojmë.

Azem Sadullahu: Ishte dëshirë e të gjithë prindërve njëherë e përgjithmonë të kemi shkollën tonë të pavarur, të cilën e formuam me djersën e mërgimtarëve shqiptarë të të gjitha fshatrave të kantonit të Glarus-it.

Nga jeni me prejardhje apo vendlindja?

(njëzëri) Ne jemi nga Kumanova, qytet që kanë zënë vend të gjitha politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kishit ndihmesën e bashkatdhetarëve:

Selami Bajrami: Natyrisht që po.

Azem Sadullahu: Pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre ishte e pamundshme të bëhej diçka.

Selami-Bajrami-dhe-Azem-Sadullahu-në-manifestimin-shkollor-në-Schëanden-më-1992-dhe-Logoja-e-Shkollës-së-Parë-Shqipe-në-Zvicër-“Hasan-Prishtina”

Kanë kaluar 30 vjet që kur është hapur shkolla e parë shqipe në Zvicër, si ju duket sot ky përvjetor?

Selami Bajrami: Shkolla shqipe në kantonin tonë ka pasur dy etapa të zhvillimit të suksesshëm. E para nga viti 1990-2001 dhe e dyta nga viti 2009-2018

Në fazën e parë ishin themeluesit e shkollës shqipe, të cilët bashkë me anëtarët tjerë: Jakup Sabedini, Prend Markaj, Muhamet Ramadani, Jahi Zeqiri dhe Naser Jusufi e organizuan mjaft mirë shkollën shqipe në Kantonin e Glarus-it

Azem Sadullahu: Dhe e dyta, pas një pauze gati 8-9 vjeçare, me ardhjen  mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili së bashku me mësuesit Qefsere Sejdiu dhe Endrit Mulaj, si dhe veprimtarët e  arsimit shqip Sahit Idrizi, Shaban Asani, Selami Bajrami, Afrim Ibishi, Afrim Rexhepi, Nexhat Hajdari, Emrush Hajdari, Musa Salihu, Avdyl Asani, Fuat Sherifi, Agim Hoxhaj në kantonin tonë filloi një epokë e re, e shkollës shqipe. Sa që shkollat: në Glarus, në Niederunen, në Netsal, në Bilten, në Näfels, në Mitlödi, në kantonin tonë përsëri u shndërruan në “çerdhe” të gjuhës shqipe.

Lista e anëtarëve të Këshillit të parë Prindëror, të shkollës së Parë shqipe “Hasan Prishtina” në Glarus

Si ishin atëherë përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: Rrugëtimi natyrisht nuk ishte i lehtë, mjaft i vështirë, me pengesa të ndryshme. Kishim edhe pengesa nga Ambasada Jugosllave, e cila ndërhynte në Drejtorinë arsimore Zvicerane duke mos dashur të na japin objekte shkollore (klasa) për mësim. Por ia dolëm.

Azem Sadullahu: Pengesat ishin të natyrave të ndryshme, kishim edhe presion.

Si erdhi deri te themelimi apo hapja e Shkollë së Parë Shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: Siç thashë, dëshira dhe vullneti i madh që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë ta mësojnë gjuhën amtare. Por, edhe ndihma e institucioneve arsimore kantonale nuk ka munguar, më të zëshmit për hapjen e shkollës shqipe kanë qenë,  ministri i arsimit z. Fritz Weber, z. Luis Bügler, sekretar i arsimit dhe Maya Hauser, kordinatore e arsimit për vendas dhe të huaj.

Azem Sadullahu: Ky vullnet dhe kjo dëshirë ishte e të gjithëve.

Cilët ishin bashkëveprimtarët tuaj?

Selami Bajrami: Prindërit, ata na jepnin forcë që të punojmë pa pushim.

Azem Sadullahu: Në veçanti anëtarët e Këshillit: Selami Bajrami, Shaban Asani, Sakip Alili, Agim Zeqiri, Imer Murati, Rrahim Shehu, Nevzat Kamberi, Tahir Sadiku etj.

Cilët ishin mësuesit e parë?

Selami Bajrami: Fillimisht mësuese e parë ka qenë Drita Krasniqi, pastaj janë angazhuar Ylfete Zymberi, Ziharete Mazllëmi, Shenadije Berisha, Burbuqe Hasani, Hamit Krasniqi etj.

Azem Sadullahu: Pas disa përpjekjeve arritëm me përfaqësuesit e Arsimit në Prishtinë, të biem në kontakt me mësuesen Drita Krasniqin edhe ne si këshill prindëror e angazhuan në procesin mësimor, dhe i siguruam rrogën për dy muaj dhe banesën.

Në fillim sa klasa kishte dhe cilat ishin ato, ku ishin hapur?

Selami Bajrami: Fillimisht në Bilten dhe pastaj Niederurnen, Oberurnen, Näfels–Mollis dhe Rüti GL dhe në Schwanden.

Në rreshtin e fundit, (nga e majta) Jakup Sabedini, Selami Bajrami dhe mësuesja Dritë Krasniqi së bashku me nxënësit

Cili është dallimi në mes dikur dhe sot?

Selami Bajrami: Punohej më shumë, numri i veprimtarëve të arsimit shqip ishte shumë më i madh

Azem Sadullahu: Kemi pasur mbledhje, takime me prindër dhe angazhime të ndryshme të cilat e mbanin gjallë aktivitetin shkollor.

Si është tani gjendja  e shkollave shqipe në kantonin tuaj?

Selami Bajrami: Momentalisht numri i nxënësve është shumë i vogël, është dëshpëruese

Azem Sadullahu: Mendoj se LAPSH kohëve të fundit nuk është duke e kryer detyrën e saj si duhet.

Si është gjendja e shkollave shqipe në Zvicër?

Selami Bajrami: E pakënaqshme, veçanërisht në kuadër të LAPSH-it nuk kemi ndonjë aktivitet serioz në organizimin e shkollë shqipe. Kryesinë qendrore nuk e shohim fare në aktivitet për organizimin dhe hapjen e shkollave shqipe.

Azem Sadullahu: Me vite në kuadër të LAPSh kemi rënie të numrit të nxënësve, veçanërisht në 7-8 e fundit.

Çka do t`iu kishe preferuar prindërve shqiptarë në Zvicër?

Selami Bajrami: Nëse fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë nuk e ruajnë gjuhën amtare pasojat janë të rënda, gjuha amtare është e nevojshme si buka dhe uji

Azem Sadullahu:  T`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse një gjë të tillë e preferojnë edhe ekspertët zviceranë, të cilët thonë se pa njohjen e gjuhës amtare shumë vështirë e kanë të mësojnë gjuhën e huaj.

Kohëve të fundit në portale të ndryshme lexohet se LAPSh feston 30 vjetorin, a është me të vërtetë 30 vjetori i LAPSh-it?

Selami Bajrami: Jo, LAPSh nuk i bën 30 vjet, por 25 sepse LAPSh është themeluar më 26 mars 1995 dhe të gjithë ata të cilët flasin kështu nuk i bëjnë nder.

 Azem Sadullahu:  30 vjet i bënë Shkolla Shqipe“Hasan Prishtina” në kantonin e Glarus-it. Ka fjalë se edhe Shkollën e parë shqipe, këtu në Glarus, e ka hap ky apo ajo, por e vërteta është një. Shkollën e Parë shqipe e kanë hap anëtarët e Këshillit Prindëror në krye me kryetarin, Selami Bajrami./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme