9 Mars, 2020 - 12:27 pm
Qeveria në Shqipëri është mbledhur të hënën në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi që u konfirmuan dy rastet e para tek në këtë vend.
Kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë kësaj mbledhjeje se në kuadër të masave është marrë vendimi që shkollat të mbyllen për dy javë, raporton tch.
“Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill. Mbyllja e arsimit në të gjithë vendin. Është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë mbylljen e të gjtha aktivieteteve, dëgjesa publike, deri më 3 prill”, ka thënë Rama.
Vendimin për shkollat e ka bërë të ditur edhe ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini. Përmes “Facebook”-ut ajo ka thënë se institucionet arsimore mbesin të mbyllura deri më 23 mars.
“Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik”, ka thënë ajo, duke shtuar se Shqipëria është vetëm duke treguar kujdes, që të zvogëlojë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.
“Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore”, ka thënë ajo.
Gjatë mbledhjes ndërkaq, Rama ka kërkuar të ruhet qetësia.
“Kemi përgatitur edhe hyrjen në skenarin e parë, që ishte parapërgatitur nga ekspertët. Receta e më e gabuar ajo që buron nga paniku, ilaçi më efektiv janë arsyeja dhe qetësia. Duhet të informoheni nga burimet zyrtare dhe të zbatohen rreptësisht masat për higjienën vetiake”, ka vazhduar ai.
Rama po ashtu ka thënë se gjatë kësaj kohe ka pasur shenja shqetësuese të motivuara nga paniku, përmes burimesh të pacertifikuara për informim.
Ai ndërkaq ka thënë se “mbyllja e kufijve është masë drastike dhe nuk përdoret gjerësisht”. / atsh / KultPlus.com