19 Korrik, 2023 - 1:36 pm
Dje ne Torrën Veneciane në Durrës është hapur festivali ‘Varg Festival’, përcjell KultPlus.
Mbrëmjen e parë të këtij festivali e hapën Ag Apolloni, Sibel Halimi dhe Arbër Selmani, të cilët erdhën me një bisedë mbi letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, kujtesën apo valët e feminizmit.
E pranishme në hapjen e këtij festivali ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ajo nëpërmjet postimi në Facebook u shpreh se letërsia është kthyer në qendër të vëmendjes me festivalin ‘Varg Festival’, pas restaurimit të Torrës Veneciane në Durrës.
“Festivali veror “Varg” i Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nisi ciklin e takimeve pikërisht në këtë kullë mesjetare me autorë të ardhur nga Kosova. Me kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Sibelin, Agun dhe Arbrin për të folur për letërsinë e zhvilluar këtej e andej kufirit shtetëror, por që frymon shqip”, shkroi Margariti në Facebook.
Ndërkaq, sonte nga ora 19:00 në Torrën Veneciane, do të ketë sërish mbrëmje poetike.
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku!/KultPlus.com