Shkrimtari Agron Tufa kërcënohet sërish

26 Tetor, 2019 - 9:14 pm

Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa vijon të marrë mesazhe kërcënuese me jetë. Së fundmi ka qenë një person, me profil të rremë, që i ka shkruar në Facebook, Tufës.

Adresa fake mban emrin “Spata Vlorë” dhe në foto duket që është një djalë i ri.

Denoncimi i Agron Tufës

Herë pas herë kam zakon të kontrolloj në adresën time edhe mesazhet që përfundojnë në “Spam” apo “Junk”, që të mos humbas ndonjë komunikim të rëndësishëm. Nuk u befasova edhe aq kur pashë një emër “Spata Vlorë”, sepse e dija që ishte ai që na kishte bërë një kërcënim, mua, avokatit tim, z. Kujtim Cakrani, dhe kolegëve të ISKK, me të cilët punojmë me zbardhjen e krimeve të komunizmit. E hapa mesazhin dhe u ndesha me po atë gjuhë urrejtjeje, si edhe në mesazhin e parë, por tashmë me një tekst të ndryshëm, të ri, të personalizuar, ku, përveç meje e familjes, kërcënimi përfshinte edhe kolegë studiues, me të cilët punoj në Institut e jashtë tij. Është gjuha e ashpër, e dhunshme, e atyre “morrave të kuq” që zbritën nga mali; e atyre analfabetëve organikë që pushtuan qytetet, konfiskuan mallin, pasurinë, vilat, tokat, jetët, fatet e gjithçka mund të rripej nga lëkura e atdheut tonë lakuriq. Gjuha tipike e atyre që, pasi pushtuan, grabitën, zhvatën, masakruan, prenë e varën, dhunuan e përdhunuan, skllavëruan dhe zombifikuan një popull të tërë me dogmën më të shëmtuar të universit, thanë e mburrën edhe sot, se “sollën qytetërim”, “zhvillim”, “emancipim”; që mburren se janë “qytetarë”, pikërisht këta lythë sekrecionesh të neveritshëm socio-historikë! O Tempora, si e tërheq ende osh pas vetes kufomën kutërbuese të tyre!?

Nga një tekst si ky kërcënim i personalizuar që do të keni bashkëngjitur, mund të mësoni shumë. Kush flet, kujt i drejtohet, ç’pengje ka e ç’përbetime e mbajnë gjallë. Është një vizatim i përpiktë me fjalë, i një portreti grupor, që ky kërcënues përfaqëson në një apoteozë onaniste deliri, madje, të një deliri tabloid, sikur me mllefin e zeherosur të tij, do përbashkohen të gjithë “ata”, gjakatarët e kuq, që zbritën nga mali dhe përdhosën gjithçka normale e organikisht shqiptare. Apeli dhe përbetimi i kërcënuesit që sheh bardhezi, krejt njëlloj si cjepërit e gazetës që më sulmon, shumë shpejt mund të bëhet realitet i rëndomtë, përderisa falimenti i ndërgjegjes dhe nderit qytetar ka prekur tabanin e godinës së vlerave tona. E kemi dëshmuar në histori se jemi trualli artë i antiutopive.

Por, i rikthehem tekstit. Kur ka mundur të mbijetojë e të ketë kurajë një specie e tillë sapiensi, na drejtohet në këtë formë 30 vjet pasi kemi fituar, së paku formalisht, lirinë, edhe unë them: I lumtë! Dhe le të dalë ta shkrepë ç’të ketë në mendje, të na vrasin si në romanin e njohur të G.G. Markezit “Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar”! Sepse e meritojmë! Sepse e kemi krijuar vetë këtë situatë! Nuk ndodhi dje apo sot, por kjo gjendje e sotme u përgatit ngadalë e këmbëngulshim, vazhdimisht, pak e fije, para syve tanë, njëlloj siç ngriheshin e hidhnin shtat muret izoluese nga poezia e famshme e Konstandin Kavafisit! Derisa horizontin të na e mbyllin këto mure. A mendon inteligjencia jonë (ajo “me uniformë” dhe ajo “pa uniformë”) se nuk ka faj!? Se nuk është faji dhe përgjegjësia e saj, edhe pse ka gjëlluar në kornizat e inteligjencies “pro pushtet”? Atëherë, le të na mbështjellin, pra, me mesazhe të tilla kërcënimi dhe le ta përballojmë si burrat këtë përditshmëri psikotropike, sepse kemi shërbyer që pikërisht këtë të meritojmë tash 30 vjet pas rënies së komunizmit. Dhe pashi Zotin, lëreni profkat retorike për BE-në! Lexojeni më mirë dhe analizojeni këtë tekst, që ngazëllen gjendrrat enveriste të pasardhësve, të cilët kanë instaluar tashmë nomenklaturën e re.

Ne sot as nuk na i pranojnë kallëzimet e këtyre mesazheve kërcënuese për jetët tona e të familjeve. As sektori i krimit kibernetik. Është detyrë e organeve të Policisë apo Prokurorisë ta bënte këtë, por, kushedi, ndoshta kërcënuesi fshihet, pikërisht në këto institucione, në strukturat prej qindrash të ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit?

Teksti i parë i kërcënimit me vdekje për mua, avokatin tim, z. Kujtim Cakrani, dhe kolegët e mi të ISKK, qe dërguar në adresë të avokatit. Media thuajse nuk e trajtoi këtë kërcënim, me përjashtim të “Fax News” dhe ndonjë portali. Sepse lajmi nuk kishte të bënte, ndoshta, me axhendën e zjarrtë politike. E kujt i bëhet vonë nëse shuhet familjarisht një Agron, një Kujtim apo një Çelo!? Nëse ndodh kjo gjëmë, atëherë o burra të marrim dozën e adrenalinës mediatike, të shesim pak mend e të shkëlqejmë nëpër studio nga mendjemprehtësia e spekulimi! Edhe ngushëllimtarët në postimet e tyre, kryefjalë kishin: “Mos u tremb! Mos e çaj kryet!”. Po, mor, po, unë e di vedin trim sojit, nuk trembem, por ama, as nuk jam krejt budalla! Sepse gjithë këtë atmosferë të vazhdueshme kërcënimi, agresioni enverist mediatik, që vazhdon tash 6 muaj, nuk e kam për aventurë e për hobi, por për shkak të të vërtetave të groposura, të krimeve të llahtarshme komuniste, për fatet e rroposura të dhjetëra mijëra qytetarëve ndër burgje e kampe pune të detyruar, që janë edhe sot “me iu dhimbs gurit e drunit”. E pres të thotë ndonjëri: “Po kjo, pra, është puna jote, misioni yt dhe i kolegëve të tu dhe për këtë paguhesh!”. Pikërisht kështu është, por e vërteta, që të dalë në shesh, e dashka një çmim, për të cilin nuk paguhem aspak, dhe nuk mund të gjendet gjallë në botë asnjë mënyrë pagimi. Thënë shkurt: mund të bënim dhe unë e kolegët e mi “punën”, urtë e butë, pa rënë në sy dhe ta merrnim atë rrogë me e mbajtë familjen, pa hyrë në “fushat e minuara”, pa marrë mundimin e “çminimit” të tyre. Por mendoj se jemi (e duhet të jemi) shumë më tepër se ca rrogëtarë të rëndomtë administrate, se ca Akakij Akakieviçë mjeranë. Vetëdija jonë, edukimi, botëkuptimi dhe njohja e thellë e përmasave të tragjedisë na e pamundëson rolin e burokratit që jeton, sipas Platonit, në “nivelin e barkut”. Prandaj, ne nuk kemi as alternativë tjetër, siç sugjerojnë kriminelët e djeshëm e të sotëm në pushtet “të sillemi në mënyrë të ekuilibruar”. Sepse ne kemi zgjedhur rrugën e konfrontimit, u kemi shpallur “luftë”, të cilën do ta fitojmë, ndonëse jemi shumë-shumë vetëm, së paku, tash për tash. Kemi tërë institucionet e shtetit kundër. Kundër në këtë rast do të thotë “indiferentë të qëllimshëm”. Që lejojnë sulme, shpifje, fushata linçimesh e kërcënime të përsëritura me vdekje. Indiferenca e qëllimshme e institucioneve që paguhen për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe institucioneve të pavarura nënkupton heshturazi inkurajimin e atentatorëve, guerrilëve dhe killerave, që dikush gjithmonë i paguan për të larë hesape. Nuk jemi aq të trashë sa të mos e kuptojmë këtë! Asnjë reagim nuk patëm për kallëzimin penal ndaj kërcënimit të parë me vdekje që av. Kujtim Cakrani dorëzoi në Prokurori. Në Polici, as nuk denjuan t’i pranonin kallëzimin!

Kjo është atmosfera e lirive tona sot, në vitin 2019! Nuk po flas për cilësinë e kësaj lirie dhe as për perspektivën e përzishme të saj, që e kemi të gjithë përpara, me ose pa ne… /KultPlus.com

Të ngjajshme