19 Nëntor, 2022 - 4:30 pm
Një burrë u hodh në një lumë plot krokodilë për të marrë biletat për Kupën e Botës 2010, një lojtar i Uruguait u kthye në fushë menjëherë pasi pësoi një atak në zemër dhe një çift rus u ndanë pasi debatuan se kush ishte lojtari më i mirë, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.
Këto janë disa nga faktet e pazakonta që shkrimtari argjentinas Luciano Wernicke ka përmbledhur në versionin e fundit të librit të tij “Tregime të pabesueshme të Kupës së Botës”, botuar në 20 gjuhë, përpara ndeshjes hapëse të Kupës së Botës në Katar të dielën.
Wernicke e shikon mbulimin e ngjarjes më të rëndësishme sportive në botë nga “perspektiva të ndryshme”, tha ai në një intervistë me Reuters, pasi “edhe historitë më të vogla përshkruajnë disi se çfarë është pasioni për futbollin”.
Me një kapitull të ri të shtuar për çdo Kupë Botërore, ky është botimi i tretë i librit nga Wernicke dhe ai tashmë po mbledh ide të çuditshme për turneun e ardhshëm të Katarit, i pari që do të mbahet në një vend të Lindjes së Mesme.
“Ka shumë gjëra interesante, duke filluar nga të gjitha këto pretendime për bojkot dhe çështjet e të drejtave të njeriut,” tha Wernicke, 52 vjeç. “Jashtë sportit padyshim që do të ketë shumë. Ana sociale do të rëndojë shumë.”
Kapitulli tjetër i Wernicke mund të jetë i frymëzuar nga lajmet e së premtes: Organizata qeverisëse e futbollit botëror FIFA njoftoi se birra alkoolike nuk do të shitet në stadiumet e kombit konservator mysliman./KultPlus.com