Shkrimtari i njohur arbëresh, Karmine Abate feston sot 70 vjetorin e lindjes

24 Tetor, 2024 - 4:50 pm

Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët, uroi sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkrimtarin e njohur arbëresh, Karmine Abate, i cili sot feston 70-vjetorin e lindjes.

Karmine Abate, një ndër shkrimtarët më të njohur të Italisë së dy dhjetëvjeçarëve të fundit, lindi më 1954 në katundin arbëresh Karfici, në Kalabri. Pas diplomimit për letërsi në Universitetin e Barit ai u zhvendos në Hamburg, të Gjermanisë, ku i ati kishte emigruar më herët. Këtu mori jetë edhe krijimtaria e tij letrare me publikimet e para në gjininë e tregimeve, poezive dhe publicistikës.

Në vitin 1984, doli libri i tij i parë me tregime i shkruar në gjuhën gjermane “Den Koffer und weg!”, mbi emigrimin, historinë dhe jetën e një komuniteti kalabrez dhe emigrantëve të tij.

Në vitin 1991, u publikua romani i tij i parë “Vallja rrethore”, i cili u pasua nga “Muri i mureve” (1993), “Midis dy deteve” (2002), “Festa e kthimit” (2004). Librat e tij paraqesin mozaikun e jetës dhe mendësive arbëreshe përmes rrëfimit të autorit nën petkun e personazheve të veçantë e karakteristikë, si në romanin “Motoçikleta e Skënderbeut” botuar në vitin 1990, apo te “Mozaiku i motit të madh”, në vitin 2006. Libri i fundit i dalë nga botimi “Il cercatore di luce” (Kërkuesi i dritës) është një histori familjare intensive që ndërthuret me historinë artistike të piktorit të madh, Xhovani Segantini (Giovanni Segantini).

Krijimtaria e Karmine Abates, ka njohur sukses të madh në Itali, por gjithashtu është përkthyer në shumë vende të botës dhe është vlerësuar nga kritika me disa çmime letrare. / KultPlus.com

Të ngjajshme