Shkrimtarja Flutura Açka për aderimin në PD: Është bekimi më i madh

13 Mars, 2021 - 11:35 am

Shkrimtarja Flutura Açka do të jetë pjesë e Partisë Demokratike në zgjedhjet që do mbahen me 25 Prill në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Këtë ajo e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se aderimi në këtë parti është një bekim i madh.

Më poshtë e gjeni postimin e saj të plotë.

E vërteta ime… edhe politike

Të dashur Miq,

Ju falenderoj të gjithëve, të njohur e të panjohur që më keni shkruar, i jam thellësisht mirënjohëse kujdesit tuaj!

Kanë kaluar vetëm pak ditë dhe kufiri i zërit tim publik është shtyrë në territoret e politikës. Mund të kishte ndodhur edhe e kundërta, pra që të tërhiqesha e të heshtja përgjithmonë e të merresha vetëm me botën e personazheve të mi. Ne po kalojmë një kohë quazi tiranish që erdhi e u malinjëzua ngadalë para syve tanë, e tillë, që jo vetëm na rrënoi ekononikisht, psikikisht, moralisht, por edhe na diskretitoi para botës së madhe. Nuk kam heshtur kurrë, e ngaqë nuk kam heshtur, nuk u ka mjaftuar balta për të më shtyrë të hesht, shpesh më kanë prekur edhe në gjëra të paprekshme, që ia kam besuar Zotit.

Kur më erdhi ftesa shumë serioze nga Partia Demokratike ndala një çast, dhe thirra zotat e së vërtetës që flenë brenda meje, dhe vendosa. Vendosa, sepse nuk doja të isha në gijotinën morale të asaj që Dante e ka thënë për të gjithë brezat e për të gjitha kohët, se “nuk ka qenie më të neveritshme se ai që ruan neutralitetin në kohë turbullsirash”. Unë nuk doja ta kisha këtë brerje, edhe pse e di që riskoj po aq të hedh mbi vete të njëjtën ndjesi që kam patur edhe vetë ndaj politikës së keqe. E përsëris, ndaj politikës së keqe dhe politikanëve të këqinj, pasi në parlamentin shqiptar kanë hyrë, kanë lënë gjurmë dhe kanë dalë me dinjitet një shpurë njërzish që kanë të gjithë nderimin shqiptarëve, edhe nderimin tim. Do të doja t’u ngjaja atyre.

Ftesa për konkurrimin për në Parlamentin Shqiptar më ka ardhur fare herët, qysh në orët e para të demokracisë, kur kam qenë një gazetare fare e re dhe shkruaja reportazhet e para të ndryshimit politik dhe rënien e diktaturës në njërën nga gazetat e para pluraliste “Fjala e lirë”. Por kurrë nuk e kam ndier veten të mjaftë për përgjegjësira të tilla, sepse e gjykoj si përgjegjësi shumë të madhe. Tani besoj se e kam pjekurinë të provoj të ruaj vetveten edhe në territore që i kam gjykuar deri dje.

Të kthehem si kandidate e PD në qytetin tim të lindjes, Elbasanin, është bekimi më i madh që mund të më ndodhte, sepse më rizgjoi arkitekturën e të gjithë atyre viteve jetë nëpër rrugët e tij, mes njerëve të tij të mrekullueshëm, të urtë e të shkolluar. Aty mësova hartën e vjetër të qytetit prej gjyshërve të mi, aty shkarravita fletët e para të ëndrrave që kisha drojë t’i rrëfeja. Kur u largova prej tij isha e bërë dhe jam kthyer e kthyer paprerë gjithë këto vite. Asgjë nuk synoj duke kërkuar ta përfaqësoj atë politikisht, vetëm të shpengohem nga gjërat që nuk kam mundur të bëj për të me pafuqinë time, që vjen nga të qenët vetëm. Politika është ‘industri’ që bëhet me shumë shokë, më së shumti idealistë. Politika është ‘art’ që të mundëson ta materializosh ëndrrën. Politika është ‘kosë’ ku mund t’i presësh virtytet kur ato i ke artificiale. Politika mund të të zgjojë veset, e t’u bësh dëm njerëzve.

Elbasani është një qytet i dashur, me histori të admirueshme të vjetër e të re, i dënuar nga diktatura me Metalurgjikun dhe nga demokracia vitet e fundit me dasmën e hidhur të bandave. Një qytet me një larmi magjepsëse, në kryqëzim të rrugëve e kohëve. “Darush shuara” (Vendi i poetëve) të dikurshëm, “Scampis”-i i shtegëtarëve të hershëm që ndalnin në dy stacionet e tij të rrugës Egnatia, qyteti i nëntëqind tregtoreve e 57 selvive të Namazgjasë, Elbasani ku po të ecje rrugëve të tij të dukej vetja sikur vallëzoje me engjëjt e parajsës, siç thotë Çelebi në kronikat e tij, i paqtë si në asnjë qytet tjetër, vendi ku harmonia fetare ka veshulli njerëzore. E tillë jam edhe vetë dhe e bërë kështu edhe prej tij; mbase ndonjëherë tjetër do ta rrëfej gjatë këtë vetvete: përzierje vendesh, ndjesish, fesh, hobesh, fobish, që nuk kam ku t’i paqtoj askund tjetër, veç në Elbasan. Romani “Ku je?” nuk paskësh qenë nderimi i vetëm ndaj tij. Po shkoj në Elbasan e të kërkoj besimin e qytetarëve të tij si kandidate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 Prillit, mu për këtë vazhdim…

Elbasani nesër ka festën e vet, Ditën e Verës, të cilën tani ia ka falur gjithë Shqipërisë.

Verë të bukur paçi përpara Miq, por natyrisht pas Pranverës së Ndryshimit!/ KultPlus.com

Të ngjajshme