Shkrimtarja Vera Bekteshi rrëfen vuajtjet e diktaturës

25 Shkurt, 2023 - 8:52 am

Shkrimtarja Vera Bekteshi, ish-e përndjekur politike, është përlotur të enjten në sallën e teatrit pas shfaqjes së dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit”.

Duke lënë mënjanë divorcin e diktuar nga sistemi politik dhe shpalljen e saj armike që e çoi në internim, ajo foli për pasoja që janë ende të ndjeshme në jetën e saj, të birin!

“Është dëmi shumë i madh që ju është bërë fëmijëve tanë. Kanë shkuar në internim 1 vjeç ose më shumë. Ju nuk mund ta merrni me mend se sa prej tyre janë të sëmurë”, tha Vera Bekteshi.

Vera Bekteshi ishte pjesë e dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit” realizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë në kuadër të Ditëve të Kujtesës, që synojnë reflektimin mbi të shkuarën dhe vëmendjen ndaj viktimave të regjimit. Shkrimtarja Vera Bekteshi foli si grua dhe si nënë duke rrëfyer së internimi ka lënë vraga të pashlyeshme.

“Nuk është puna që vuajtëm ne, unë për vete e kam harruar komplet vuajtjen se kam punuar dhe jam realizuar si grua, por unë nuk bëhem dot gjyshe….dhe si unë ka shumë të tjerë. Dhe disa fëmijë që janë sëmurë në internim kanë pensione qesharake. Me se do të jetojnë ata kur të vdesim ne? Unë jam më shumë se 75 vjeçe. Po ai i dobëti, çfarë do bëjë? Seleksion natyral si Hitleri? Ç’është kjo, ata që nuk janë në gjendje të punojnë, të vdesin urie”, tha Bekteshi, shkruan Balkan Web.

Fatbardha Saraçi, Bekteshi, Rajmonda Bulku, Kledji Këlliçi, Elsa Ballauri, Luljeta Lleshanaku, dhe Fatmiroshe Xhemalaj, dekonstruktuan mitin e emancipimit të gruas, duke zbuluar çështjet e propagandës, moralit, martesës, divorci, abortit, falsitetit dhe dënimeve ekstreme deri me pushkatim, për disa prej grave më të emancipuara të kohës./Shqip.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme