16 Gusht, 2022 - 2:56 pm
Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë”, ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ish- komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar, Bozhidar Deliq.
Kujtojmë se Deliq tashmë është zgjedhur si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, gjë që ka indinjuar shumë qytetarët e Kosovës.
Deliq, tani ushtarak në pension, dyshohet se ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve të luftës krimeve në Tërrnje të Suharekës, si dhe vrasjeve të qindra qytetarëve të tjera në Prizren, Rahovec dhe Dragash.
Në kohën kur u kryen këto krime më 1998-1999, Deliq ishte komandat i Brigadës së Motorizuar 549 të ushtrisë Jugosllave.
Në Kosovë, Deliq fëmijërinë e hershme e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, Lugbunar të Gjakovës.
Aty ka kryer shkollën fillore, për t’u zhvendosur më pas në Beograd të Serbisë ku përfundoi akademinë ushtarake.
Në biografinë e tij të publikuar pas zgjedhjes në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, mungon një pjesë e konsiderueshme e karrierës ushtarake.
Aty nuk përmenden fare pozitat e as përgjegjësitë që ka pasur gjatë luftës së Kosovës, përkatësisht në vitet 1998-1999.
Nga vitit 1977, në biografinë e publikuar, kalohet direkt në vitin 2002.
Bozhidar Deliq u pensionua nga ushtria serbe në vitin 2005 dhe më pas iu fut politikës.
Karriera e tij politike karakterizohet kryesisht me të qenit anëtar i Partisë Radikale në Serbi.
Më vonë u bë anëtar i Partisë Progresive të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, por edhe nga kjo parti u largua.
Në janar të këtij viti themeloi një lëvizje politike të quajtur “Nuk ka kthim, Serbia qëndron prapa”.
Ai ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë. Kjo është hera e dytë që shërben si nënkryetar i këtij institucioni.
Deliq ishte dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës ndaj ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak, Vladimir Lazareviq, që u dënua për krime lufte në Kosovë. / KultPlus.com