9 Maj, 2022 - 11:03 am
Pas një periudhe gjashtëmujore pa aktivitete, shoqata URACult kthehet me organizime interesante dhe shpreson të zgjoj kurreshtjen e publikut jo vetëm në Köln por edhe në gjithë këtë pjesë të Gjermanisë.
„URACult Kultur Soirée“ quhet mbrëmja e parë (8. Maj nga ora 17:00h në Altes Pfandhaus në Köln) dhe sjell një program të larmishëm. Në pjesën e parë të mbrëmjes do të prezentohet romani më i ri i autores Lindita Arapi „Të murosurat“. Pason një diskutim me temën „Heroinat e heshtura – gratë shqiptare ndërmjet traditës dhe vetëvendosjes“ në të cilin do të diskutojnë: Elda Sorra, Sefedin Rreci, Zana Niedermeyer dhe Lindita Arapi nën moderimin e Adelheid Feilcke.
Jola Shkodrani (çelo) dhe Mirela Zhulali (piano) do të përmbyllin mbrëmjen me programin e tyre muzikor „Një udhëtim në tinguj popullor“ .
Aktivitetet e shoqatës ndër më aktivet në Diasporë, vazhdojnë me 9. dhe 10. Maj me shfaqjen teatrale „Kthimi i Karl- May-it“ të autorit Jeton Neziraj e në regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja e cila në Gjermani për herë të parë është shfaqur vitin e kaluar në Ludwigshafen, vazhdon rrugëtimin për në Hamburg (8. Maj) për të mbërrijtë në Dortmund ku do të shfaqet dy ditë me radhë në sallën kryesore të teatrit të këtij qyteti.
„Kemi shfrytëzuar pauzën për përgaditje të programit tonë vjetor e gëzohemi që ngadalë po i kthehemi normalitetit dhe qysh në fillim do të kemi mundësinë të ofrojmë një program treditor“ flet kryetari i shoqatës Ali Salihu.
Shoqata URACult e cila qe gati tetë vite është aktive në shkëmbimin dhe promovimin kulturor, ka planifikuar aktivitetet edhe për gjysmën tjetër të vitit por nuk është e sigurtë se a do të mund të realizoj të gjitha. „Mjerisht, sivjet do të na mungoj mbështetja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovë sepse konkursi i fundit saj për mbështetje të projekteve, kishte aq shumë barriera për shoqatat që janë aktive në Diasporë sa që e bënë aplikimin të pamundur“ flet Salihu i cili vlerëson ndihmën e MKRS-së në të kaluarën por nuk i kupton kushtet e shtruara në konkursin të sivjetëm. „Shpresojmë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Disaporës por edhe anëtarësia jonë do të na mbështesin në realizimin e projekteve tona sepse promovimi dhe diplomacia kulturore janë shumë të rëndësishme dhe ato nuk guxojnë kurrsesi të ndalen, as atëherë kur mungon mbështetja si shkak i byrokracisë institucionale“ shpreh optimizmin e tij kryetari Salihu dhe fton bashkëatdhetarët që së bashku me miqtë e tyre joshqiptarë të viztojnë organizimet e URACult-it./ KultPlus.com