29 Qershor, 2022 - 11:45 am
35 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për situatën në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë deklaratë thuhet se “procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend”.
Këto organizata kanë kërkuar vetting në arsim përmes projektligjit për Arsimin e Lartë që aktualisht është në procedurat e Kuvendit dhe përjashtimin e plagjiatorëve nga Universiteti i Prishtinës.
“Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore”, thuhet në komunikatë.
DEKLARATA E PËRBASHKËT E SHOQËRISË CIVILE PËR SITUATËN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS:
Procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetin e Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.
Tash e dy dekada angazhim dhe përpjekje të strukturuara nga organizatat e shoqërisë civile për universitete publike, si dhe angazhimi i përgjithshëm i që pasluftës i të gjitha organizatave, nismave, organizimeve të shoqërisë civile dhe sektorëve të tjerë, po tregohen të padobishme për shkak të një numri dominues të stafit akademik pa kredenciale akademike. Procesi i fundit zgjedhor në Universitetit e Prishtinës ishte në njërën anë manifestim i një situate brenda UP-së ku grupet e brendshme të interesit po kontrollojnë proceset, dhe në anën tjetër alarm për gjithë shoqërinë që gjendja brenda këtyre institucioneve duhet të ndryshojë rrënjësisht.
Në një proces zgjedhor ku senatorë të UP-së mund të jenë dhe janë: plagjiatorë tashmë të shpallur edhe nga Këshilli i Etikës, apo persona pa kredenciale akademike, persona pa integritet për pozitat që i mbajnë, nuk ka asnjë mundësi që rezultati i vet atij procesi të prodhojë një kualitet tjetër. Rrjedhimisht, përzgjedhja në Këshillin Drejtues e të personave me probleme të theksuara të integritetit akademik, e dëshmon në mënyrë të qartë se institucioni ka probleme serioze me cilësinë dhe integritetin akademik, dy nocione themelore në saje të së cilave ekziston universiteti.
Edhe pas kaq vitesh rezistencë për universitet cilësor nga akterët e ndryshëm të kësaj shoqërie, gjithnjë ekziston tendenca, jo që proceset progresive të kthehen në pikën zero, por që këto procese të degradojnë në shkallë të paimagjinueshme.
Në këto rrethana, verifikimi i kredencialeve akademike me theks – tezave të doktoraturës dhe punimeve shkencore, është bërë domosdoshmëri. Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtuqë situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më.
Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore.
Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i shprehim universitetit zhgënjimin tonë të thellë që edhe në rastet kur nga vet organet e tij verifikohet plagjiatura e personave të caktuar, dënimet janë vetëm simbolike dhe në shpërputhje me praktikat globale. Prandaj, i thërrasim Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera relevante të Arsimit të Kosovë që plagjiatura të lihet jashtë cilitdo institucion kur verifikohet ajo.