13 Shkurt, 2025 - 9:20 am
Dorëshkrimet e dhjetë autorëve kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes nga juria e Çmimit Letrar Kadare. Emra të njohur të botës letrare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë, janë vlerësuar mes 40 dorëshkrimeve të arritura në adresën e emaili-t të çmimit. Pjesëmarrja e këtij viti theu rekord në gjithë historikun e këtij institucioni letrar që nxit dhe promovon të shkruarit shqip.
Juria e edicionit të njëmbëdhjetë, që për herë të parë përbëhet nga fituesit ndër vite të Çmimit Kadare, me kryetare Vera Bekteshi dhe anëtarë, Loer Kume e Dionis Prifti, ka marrë në dorë sinopset dhe 15 faqet e para të dorëshkrimeve gjatë gjithë kohës që kanë ardhur aplikimet, deri më 20 janar, kur ishte afati i fundit i dorëzimeve. Prurjet e larta kanë shtuar dhe vështirësuar punën e jurisë për të arritur te 10 gjysmëfinalistët, të cilët i nënshtrohen sërish syrit profesional e kritik të saj, tashmë me dorëshkrimet e plota, për të përzgjedhur pastaj pesëshen finaliste.
Vepra fituese për 2025-ën do të shpallet në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora.
Mes autorëve gjysmëfinalistë spikasin emra që tashmë kanë zënë vendin e tyre në letërsi, por dhe të rinj që kanë kaluar me sukses sprovat e para, duke dëshmuar përmes pjesëmarrjes vlerësimin dhe dëshirën për të pasur në karrierën e vet një çmim prestigjioz. Çmimi Kadare jepet për prozën shqipe dhe kriteri fillestar është që vepra të jetë dorëshkrim, e pabotuar më parë, duke kontribuar kështu me një botim me vlerë që i shtohet fondit të letërsisë shqipe.
Vlera totale e këtij çmimi vlerësohet 10 mijë euro ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.
10 autorët gjysmëfinalistë:
1. Armand Bora- Ata që mbijetuan (Drama)
2. Binak Kelmendi- Të huajt (Roman)
3. Eduart Ymeri- Dritan Terri (Roman)
4. Enird Malile- Planeti leshtor- (Tregime)
5. Flogerta Krypi- Në aeroport nuk shesin bibla (Roman)
6. Gazmend Krasniqi- Si shkruhet një roman dashurie (Roman)
7. Klidi Apostoli- Arratisja e varreve (Roman)
8. Mimoza Ahmeti- I vogli (Roman)
9. Vlora Konushevci- Martesat, valixhet dhe ngarkesat tjera” (Tregime)
10. Stefan Çapaliku- Saga e Sarajevës (Roman)
Çmimi Kadare, i themeluar në 2004-ën me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, kremtoi në fund të dhjetorit dekadën e parë të jetës së tij. Pjesë e këtij kompeticioni janë bërë më shumë se 400 vepra në prozë me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Fituesit ndër vite kanë qenë gjithashtu të gjithanshëm, përtej ndasive gjeografike, gjinore apo të viteve në krijimtari, të përbashkuar nga vlerat krijuese, duke dëshmuar se letërsia është “toka” e të gjithëve.
I pari fitues i këtij çmimi u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, më 2025-n, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”, autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “Amigdala Mandala, Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”, shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri” dhe së fundi prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”./liberale/KultPlus.com