Shpallen fituesit e konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”

22 Dhjetor, 2023 - 5:20 pm

Në një sallë përplot me të rinj të talentuar, edicioni i shtatë i konkursit më të pëlqyer nga të rinjtë, “Novelat grafike” u përmbyll sot me shpalljen e fituesve.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, publikoi në rrjete sociale foto nga ky eveniment i rëndësishëm, teksa vurinë dukje se, ““Novelat grafike” vjen si një dhuratë e bukur për Vitin e Ri dhe një stimul për të vijuar më tej në këtë zhanër erdhi ky çmim për 5 fitues”.

Margariti shprehu kënaqësi të veçantë, për organizimin e këtij konkursi që gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e të rinjve drejt qasjes me trashëgiminë kulturore.

“Ndava emocionet e bukura me të gjithë të rinjtë që u bënë pjesë e këtij konkursi, e në veçanti me Alesian që fitoi çmimin e parë me një nga rrëfimet më mbresëlënëse në fëmijërinë e saj, nga cikli “Tregime të moçme shqiptare”, “Ajkuna qan Omerin”, që tregon lidhjen e shëndetshme të brezit të ri me trashëgiminë kulturore shpirtërore të vendit tonë”, tha ministrja.

“Ministria e Kulturës do të vijojë të mbështesë të rinjtë në ndjekjen e ëndrrave të tyre”, deklaroi Margariti.

Fituesit e çmimeve të konkursit janë:

Çmimi i parë: Alesia Zhuli;

Çmimi i dytë: Rei Kërçova

Çmimi i tretë: Gea Qendro

Çmimi i katërt: Xhoen Hajdaraj

Çmimi i pestë: Arta Mumajesi

Ky është viti i 7-të (që prej vitit 2014) që Ministria e Kulturës realizon Konkursin “Novelat Grafike Shqiptare, në mbështetje të veprimtarive dhe si pjesë e politikave kulturore te kësaj Ministrie, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor të brezit të ri nëpërmjet arteve, krijimtarisë aplikuese dhe konkurseve që rezultojnë ndër vite të suksesshme.

Qëllimi i këtij projekti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore.

Tematika e veprave që u paraqitën ka qenë nga letërsia, legjenda dhe përralla, tregime apo gojëdhënat, kinematografi, realitete të përditshme .

Rëndësi në këtë edicion iu kushtua teknikave të punimit, mënyrave të shprehjes së fabulës, përshkrimit të karaktereve, inkuadrimit të narracionit, përdorimit të elementeve simbolike si mjete të gjuhës apo të komunikimit.

Pjesëmarrja në edicionin VII të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2023”, ishte e hapur për çdokënd pa dallim moshe, gjinie, profesioni, arsimimi etj.

Në këtë konkurs morën pjesë nxënës të shkollave të mesme artistike në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe Durrës, student nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Arteve Figurative etj, si edhe të tjerë individë të interesuar./KultPlus.com

Të ngjajshme