Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Shqipëri

27 Nëntor, 2019 - 9:00 am


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një takim urgjent mëngjesin e sotëm ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e personave të cilët janë ende nën rrënoja.

“Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi se deri më tani janë 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe 45 jetë të shpëtuara.

“Tërmeti ishte sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike”, tha Rama.

Ai më pas shprehur mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë.

Kryeministri shqiptar falënderoi edhe vendet të cilat janë solidarizuar më Shqipërinë në këto orë të vështira duke e quajtur mbresëlënëse atë çfarë bëri Kosova dhe vendet mike.

“Solidaritet mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Rama. / KultPlus.com

Të ngjajshme