Shpallet konkursi për drejtorin e përgjithshëm të TKOBAP

6 Janar, 2025 - 1:01 pm

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli konkursin për pozicionin drejtor i përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP).

“Një mundësi e artë për të udhëhequr një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend, si dhe një mundësi për të lënë gjurmë në historinë kulturore të Shqipërisë”, shkroi ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja, duke ndarë lajmin në rrjetet sociale.

Shpallja e këtij konkursi nga MEKI erdhi pas lirimit nga detyra të Abigeila Voshtinës si drejtore e përgjithshme e TKOBAP, vendim që u miratua nga Këshilli i Ministrave më 13 dhjetor 2024. Pas lirimit nga detyra të Voshtinës, MEKI emëroi drejtor të komanduar në TKOBAP kompozitorin e njohur Aulon Naçi.

Në faqen zyrtare të MEKI-t thuhet se kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme: Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike /juridike, Akademinë e Arteve; Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në profesion, si edhe përvojë të konsiderueshme në drejtim dhe menaxhim në fushën e artit, si dhe në drejtimin e projekteve kulturore; Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës; Të ketë përvojë në krijimin/vënien në jetë të strategjive financiare, me qëllim realizimin e projekteve/aktiviteteve artistike.

Afati i fundit për aplikim është data 24 janar 2025./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme