Shpallet ‘Viti i Ali Podrimjes’, Margariti: Poet që na bëri ta donim edhe më shumë Kosovën

23 Mars, 2022 - 4:02 pm

Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën sot vitin 2022 “Viti i Ali Podrimjes”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të njohur nga Kosova.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “nuk mund të ketë një ndarje mes poetëve të Shqipërisë dhe poetëve të Kosovës, ata i përkasin gjithë shqiptarisë, ndaj edhe 2022-shin e kemi shpallur “Viti i Ali Podrimjes””.

“Ky është një homazh në 80-vjetorin e lindjes së një prej poetëve tanë të shquar, që na bëri ta donim edhe më shumë Kosovën e të ndjenim dhimbjen e saj”, tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se “Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojnë një seri aktivitetesh jo thjesht rreth këtij autori, por rreth poezisë, duke konkretizuar kalendarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë”.

Ky vit do të jetë një vit kushtuar aktiviteteve në kujtim të figurës dhe kontributit të Ali Podrimjes, si dhe poezisë shqipe, aktivitete të cilat do të shtrihen përgjatë 2022 në kuadër të projekteve të përbashkëta kulturore të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme