4 Shkurt, 2025 - 4:00 pm
Në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, u shpall “Viti Maks Velo”, me iniciativën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Kjo nismë u mbështet nga Autoriteti i Dosjeve, Biblioteka Kombëtare si dhe Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”. Institucionet nënshkruan edhe marrëveshjen e rastit, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në homazh të intelektualit të shquar Maks Velo, në 90-vjetorin e lindjes dhe 5-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Në ketë ceremoni u vlerësua figura e shumanëshme e Maks Velos, angazhimi e kontributi i tij në letërsi, pikturë, arkitekturë dhe shoqëri, si aktivist i shquar.
Maks Velo ishte piktor, studiues, arkitekt dhe shkrimtar. I diplomuar ne Inxhinieri Ndertimi dhe i specializuar ne Arkitekture, Velo mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë (1960) dhe më pas ka punuar pranë Byrosë së Projektimit në kryeqytet. Vitet ’78-’79 ishin më të vështirët të jetës së tij, pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.
Vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është kushtuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit të jetës mori pjesë gjallërisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta”, “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj./atsh/KultPlus.com