Shpaloset programi ‘Kosova, shtet i xhudos’, Kurti: Për herë të parë, sporti po merr vendin dhe trajtimin e merituar

30 Shtator, 2022 - 8:09 pm

Është shpalosur sot projekti i nënshkruar në mbledhjen e 99 të Qeverisë së Kosovës “Kosova, shtet i xhudos’ me të cilin synohet që të fuqizohet sporti si mjet për ndërtimin dhe ruajtjen e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike si dhe kanal kryesor për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë ceremoni kaq me rëndësi për sportin kosovar ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se xhudo dhe rezultatet e xhudistëve kosovarë kanë qenë kryefjala e sportit vendos tash e 15 vite.

“Qysh në të kaluarën në vitet 90-ta pastaj edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e fuqishëm deri në ditët e sotme, sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promomivimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.”, u shpreh i pari i qeverisë, duke shtuar se sporti në përgjithësi dhe xhudo posaçërisht ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë brenda shoqërisë sonë dhe krijimin e përceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Kosovën.

“‘Kosova shtet i xhudos’ është hapi konkret të cilin e kemi ndërmarrë si Qeveri për të siguruar jo vetëm vazhdimësinë e ndikimit të xhudos në promovimin tonë ndërkombëtar por mbi të gjitha zhvillimin maksimal të këtij sporti përbrenda Republikës së Kosovës.”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Kurti po ashtu tha se për herë të parë në Kosovë, sporti po zë vendin dhe po merr trajtimin e merituar.

Më pas, fjalën e mori kryetari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka i cili e cilëson këtë program si programin më me vlerë që ka ndodhur në historinë e sportit të Kosovës, duke ia atribuuar punës së xhudistëve dhe trajnerëve të sportit të xhudos në Kosovë që sivjet shënon edhe 55-vjetorin e themelimit.

“E Përgjatë këtyre 55 vitete kemi gjenerata të tëra që punuan me zell e përkushtim për avancimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos duke filluar me gjeneratën e artë të viteve 70-të dhe duke vazhduar deri në ditët e sotme ku patëm fatin e jashtëzakonshëm që në mesin tonë të veprojë dhe punojë kampioni olimpik, Driton Kuka, i shpallur edhe zyrtarisht si trajneri më i mirë në botë dhe Evropë për vitin 2021. Tri medalje të arta olimpike, dhjetëra botërore e evropiane e qindra ndërkombëtare.”, u shpreh Kuka duke shtuar tutje se kjo duhet të ketë qenë arsyeja dhe motivimi për ministrin Çeku që të fillojë një program të tillë që në thelb e ka promovimin e vendit dhe avancimin e xhudos në shumë dimensione.

E pranishme në këtë cermoni ishte edhe ish-kampionja olimpike, Majlinda Kelmendi e cila tha se ky është një program jashtëzakonisht i rëndësishëm, që u mundëson sportistëve të kenë masivitet, kushte më të mira për stërvitje duke marrë parasysh që do të ndërtohet nga një doxh në pothuajse në secilin qytet të Kosovës dhe më e rëndësishmja të ketë vazhdimësi të sukseseve.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr vendin dhe trajtimin e duhur, siç e tha edhe kryeministri sepse ka tash e 15 vite që çdo qytetar i Kosovës mburret me sukseset e sportit të xhudos. Fatmirësisht, përmes punës së jashtëzakonshme të trajnerit Driton Kukat kemi hapur dyer të cilat edhe sot përmes politikës është e vështirë të hapen. Jemi ulur në tavolina që politika e ka të vështirë të ulet me ata njerëz, me ato shtete, kështu që përmes sportit ka qenë shumë më e lehtë.”, u shpreh mes tjerash Kelmendi.

Kurse për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, programi ‘Kosova shtet i xhudos’ i shërben qëllimeve strategjike të institucioneve shtetërore dhe synon të ndikojë në mirëqenien shoqërore, shëndet publik dhe në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Çeku më tutje njofton se ky program ka gjithsej gjashtë qëllime kryesore.

“Janë gjashtë qëllime kryesore, një është infrastruktura e përmirësuar fizike, dy është fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, tre është masivizimi i sportit të xhudos, katër është mbështetja për sportistët dhe trajnerët elitarë, pesë është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe gjashtë promovimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës”, u shpreh ministri Çeku.

Programi ‘Kosova shtet i xhudos’ është një kornizë strategjike veprimi për pesë vitet e ardhshme në vlerë prej  12 milionë eurosh./ KultPlus.com

Të ngjajshme